Peza jep lajmin: Opozita do futet në…

Qëndrimi i Partisë Socialiste në lidhje me situatën politike në vend, është shumë i qartë: Me apo pa opozitën, zgjedhjet lokale do të zhvillohen më 30 qershor, kur edhe janë dekretuar prej muajsh, nga Presidenti i Republikës. Dilema ndodhet në krahun tjetër.

Në anën e opozitës, e cila pasi ka “djegur” mandatet e saj në Parlament dhe ka dalë nga sistemi i pushtetit legjislativ, ka deklaruar më herët se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet për pushtetin vendor.

Do të doja që ky shkrim të ribotohej pas disa muajsh, për të vërtetuar ose jo bindjen time të sotme se përtej retorikës, edhe PD edhe LSI bashkë me gjithë aleatët e tyre, do të marin pjesë në këto zgjedhje.

Së pari, opozita jonë jashtparlamentare është e dënuar që ta bëjë këtë, nisur nga logjika e lojës politike në demokraci, sipas së cilës i ndëshkuari më i madh është ai që nuk mer pjesë në garë. Sa më shumë kohë që të kalojë nga dalja prej sistemit, gjithmonë e më e vështirë do të jetë nesër, për tu rikthyer e për tiu imponuar atij.

Së dyti, opozita jonë jashtparlamentare është e dënuar që ta hedhi këtë hap, nisur nga logjika e mbijetesës politike. Qenia jashtë Parlamentit dhe dalja pas kësaj jashtë bashkive, i heq automatikisht këtyre forcave politike nga “dora”, edhe mundësinë për të drejtuar nesër pushtetin qëndror, e pas 30 qershorit, edhe pushtetin lokal. Duke mos patur asnjë mandat përfaqësimi si në qendër ashtu edhe në bazë, njerëzit sot janë aq pragmatistë, sa për nevojat dhe interesat e tyre do të rendin herët ose vonë, drejt pushtetit real.

Nuk është e thënë vetëm drejt PS, por edhe drejt opozitës së re që herët ose vonë, do të lindë pas kësaj. Ashtu si në ligjet e fizikës, edhe në metafizikë, “asgjë nuk humbet por gjithçka shndërrohet, nga një formë në një formë tjetër.” Që do të thotë se opozita nuk do të zhduket. Përkundrazi. Vendin e opozitës së sotme, do ta zerë një opozitë e re, e cila do të përfaqësojë politikisht nevojën e qytetarëve në një sistem pluralist, për të qenë alternative e re përballë mazhorancës aktuale.

Së treti, opozita jonë jashtëparlamentare është e dënuar të mari pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, për shkak të presionit të pamëshirshëm të kohës. Nëse nuk arrijnë që të rigjejnë dallgën e duhur për tu rikthyer në garë, shumë shpejt do ta shohin veten në breg. Pas kësaj, anija e mundësisë për të qenë në lojë, do të jetë larguar gjithmonë e më larg horizontit, pa kthim. Në datën 18 mars, pra vetëm 2 ditë pas protestës së lajmëruar për tu zhvilluar në Tiranë, partitë politike janë të detyruara me ligj që të dorëzojnë në KQZ, emrat e komisionerëve për ngritjen e KZAZ. Moszbatimi i këtij detyrimi ligjor brenda afatit kohor, i lë praktikisht që tani partitë politike opozitare, jashtë zgjedhjeve.

Për ta perceptuar konkretisht se ku të çon logjika e bojkotit, mjafton që të ofrojmë një shembull të thjeshtë që e dëshmon këtë. Pas zgjedhjeve të 2013, Partia Demokratike bojkotoi komisionin e reformës territoriale. Duke mos qenë pjesë e lojës për ndarjen e re administrative, pasi humbi zgjedhjet e 2015, Lulzim Basha u ankua se dështimi erdhi për shkak të hartës së re. Sot, bojkoti i kësaj reforme, cilësohet si një gabim i Partisë Demokratike nga vetë drejtuesit e saj. Imagjinoni që këtë radhë, të bojkotojnë edhe zgjedhjet lokale vetë, se çfarë katastrofe do të jetë për partinë kryesore të opozitës.

Por përtej këtij trajtimi teorik, logjik dhe nëpërmjet shembujve nga praktika jonë e viteve të fundit, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi i kanë dhënë këtë fundjavë, sinjalet e para se edhe PD edhe LSI, e për rrjedhojë edhe aleatët e tyre të tjerë opozitarë do të marin pjesë në zgjedhje.

Ndërkohë që Kryeministri Edi Rama ishte në Fier në kuadër të turit të tij të fundjavave për “Bashkinë që duam”, Lulzim Basha zhvilloi takimeve me banorë të Paskuqanit. Kryetari i PD ka rezervuar fjalë të mëdha për punën e Kryetarit të Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu. Por jo vetëm kaq. Pas kësaj, ai ka konfirmuar publikisht se do ta rikandidojë për një mandat tjetër, në krye të kësaj bashkie.

Ndërsa Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, pavarësisht se sipas mënyrës së saj, për herë të parë ka artikuluar përpara strukturave të partisë në Gramsh, ndezjen e motorrëve të makinës së tyre elektorale. Duke dashur ta justifikojë vendimin për “djegien” e mandateve, ajo vazhdoi ti mbante “me të ngrohta” strukturat, duke deklaruar se “Shqipëria do shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ne do përballojmë çdo sfidë që do të na dalë përpara. Sistemi nuk do të jetë. Ndizni motorët për të rrëzuar sistemin që ngriti Rilindja e krimit.”

Pas kësaj, është shumë më e qartë se përtej tymnajave, deklaratave në erë, protestave me militantët e me punonjës të administratës së bashkive që drejtojnë vetë, PD dhe LSI po përgatiten për tu futur në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Arësyeja është e thjeshtë: Janë të dënuar ta bëjnë këtë, për shkak se e kundërta, i nxjerr automatikisht jashtët sistemit politik. Askush nuk mund të verë bast sot, (pavarësisht se lojrat e fatit janë mbyllur), për të kundërtën. Sepse askush nuk mund ta besojë se ata që e duan aq shumë pushtetin, qoftë edhe me çmimin e daljes nga sistemit për ta fituar atë me marrëveshje në tavoklinë, janë gati sot që të dalin nga politika.

A mund ta përfytyrojë ndonjëri sot Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, se janë realisht gati që ti braktisin të gjitha, për të qenë qytetarë të thjeshtë, pas 30 qershorit?! Çdo gjë mund të mendoni për ta, por nuk e besoj se ndokush arrin që ti pëfytyrojë nga 1 korriku e tutje, duke ecur rrugëve e trotuareve në këmbë.

Pa badigardë. Jashtë zyrave. Jashtë selive të partive në qendër të Tiranës. Jashtë kamerave. Tapeteve të kuq. Makinave luksoze. Takimeve zyrtare. Udhëtimeve pa pasaporta diplomatike. Jashtë termnaleve VIP nëpër aeroporte. Nëpër kryeqytetet e Europës e botës. Jashtë hoteleve luksoze me paratë e taksapaguesve shqiptarë e fondet e partive të tyre. Apo jashtë njëmijë e një fijeve të interesave të tjera, me të cilat e kanë lidhur jetën aktuale. në majën e elitës politike shqiptare!/Alfred Peza