Pezullohet betimi i Valdrin Pjetrit për bashkinë Shkodër

Shtyhet konstituimi i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Konstituimi i kësaj bashkie ishte parashikuar të bëhej më 20 gusht por është shtyrë pasi pritet përgjigja e Prokurorisë për Valdrin Pjetrin, kryetarin e zgjedhur më 30 qershor.

Burimet bëjnë me dije se vendimi për pezullimin e konstituimit të Këshillit Bashkiak ka ardhur nga Partia Socialiste por nuk ka shumë detaje për këtë çështje.

Një ditë më parë Partia Demokratike publikoi dokumentetku sipas tyre vërtetohet se kryebashkiaku i Shkodrës ka qenë dënuar me 18 muaj burg në Itali për drogë.

Gjithashtu PD-ja ka paralajmëruar një protestë që pritet të zhvillohet sot në Shkodër, kundër Pjetrit.

Vetë Pjetri u shpreh se po pret vendimin e përfundimit të procesit të verifikimit të figurës nga ana e autoriteteve zyrtare shqiptare dhe italiane.

Në lidhje me këtë lajm ka pasur reagime nga Partia Socialiste dhe nga vetë kryetari i saj, Edi Rama ka pezulluar Pjetrin nga strukturat e PS-së deri në verifikimin e rastit nga Prokuroria.