Po t.rondit me librin e tij, mjeku i Enverit rrëfehet sonte: Atë natë mallkova veten, jeta e djalit nuk ishte e sigurt

Mjeku i njohur i Enver Hoxha, Isuf Kalo, i cili ka shkaktuar reagime te shumta me librin e tij me kujtimet per jeten ne Bllok me grate e bllokmeneve, ka rrëfyer sonte dy momentet më të vështira, të shkruara dhe në librin e tij, që ka pasur teksa ishte në shërbim të Enver Hoxhës; momenti kur djali, Sokoli ishte sëmurë dhe tjetri kur duhet t’i thoshte se vuante nga zemra.

‘Momenti më i vështirë ka qenë kur u sëmur Sokoli nga apendiciti dhe u shty operacioni. E kam përshkruar edhe në libër. Mua ma kanë përmendur si gabimin tim, por ç’është e vërteta unë dyshova për diagnozën, e thirra kirurgun, por ai nuk u bind për diagnozën. Më pas zgjodhi një taktikë të gabuar, e shtyu me antibiotikë. Por erdhi një moment që ai u operua dhe kur u operua panë se apendiciti kishte plasur. Thanë që jeta e djalit nuk ishte e sigurt. Kjo ishte e tmerrshme që ta dëgjoje sepse ai ishte një djalë i ri, mes të Tiranës, në mes të mjekëve. Ishte një gjë e paperceptueshme. Dhe pas operacionit, kjo gjë iu tha atij. Dhe ai nuk mund ta besonte këtë gjë. Atëherë më thirri dhe ishte si luan me krifë. Unë isha mësuar që ai të sillej shumë korrekt e ngrohtë me mua. Ndoshta sepse isha i ri në moshë, ndoshta sepse kishte besim. Dhe në atë moment unë nuk doja të isha. Ishte një moment shumë i vështirë. Ai vetëm pyeti disa herë pse dhe iku si furtunë. Unë isha si lepuri. Ky ka qenë momenti më i keq. Një tjetër moment i ka ka qenë edhe kur unë, për herë të parë i regjistruam në Durrës në elektrokardiogram që kishte iskemi të zemrës, kurse deri atëherë i ishte thënë që zemrën e kishte mirë. Unë nuk dija se ç’mund të ndodhte gjatë natës sepse nuk kishim mjete që ta vinim në monitorim, për ta ndjekur në monitor. Nuk kishim mjete për ta defibriluar në qoftë se zemra do t’i ndalonte. Atë natë unë e kam mallkuar veten që isha bërë mjek sepse nuk e kisha menduar që mjekësia ishte aq e papërgatitur sa që edhe për Enver Hoxhën ne nuk i kishim mjetet dhe mënyrat e duhura. Pastaj erdhën disa shokë dhe ajo situatë u kalua, por sidoqoftë pritja e asaj nate ishte e tmerrshme. Ne ishim në Durrës në plazh, ku pati edhe një shtrëngatë me vetëtima e bubullima, që mua më bëri supersticioz. Mendova që po bëhej kiameti’, tregoi Kalo.