Policia jep informacion zyrtar për të proceduarit dhe arrestuarit e protestës, ja emrat e njohur

Me anë të një njoftimi për mediat, policia njofton se janë proceduar penalisht 60 persona ndër të cilët 42 të arrestuar me pretendimin se kanë ushtruar dhunë ndaj Policisë dhe institucioneve shtetërore gjatë protestës së djeshme të thirrur nga opozita.

Sipas Policisë, nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta, kapsollave e fishekzjarrëve kanë mbetur të plagosur dhjetë punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës.

Ndërkohë bën të ditur gjithashtu se personat e arrestuar dhe të preceduar penalisht në gjendje të lirë, akuzohen për veprat penale, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Siç shpesh ka ndodhur pas protestave të opozitë, midis të proceduarve penalisht në gjendje të lirë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

“Vijon puna për identifikimin e persona të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundërligjshme në këtë protestë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.

Njoftimi i plotë:

Tiranë – 60 të proceduar për aktet e dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e djeshme të opozitës, ndër ta 42 të arrestuar
Në datë 2 Qershor 2019, duke nisur nga ora 19:00 subjektet politike Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë zhvilluar tubim në Bulevardin” Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë e vijuan në rrugën “George W. Bush”, përballë institucionit të Parlamentit të Shqipërisë.

Gjatë protestës në rrugën “George W. Bush” pjesëmarrësit në tubim kanë kundërshtuar, goditur me mjete të forta, fishekzjarrë, tymuese dhe kapsolla me fuqi të lartë shpërthimi punonjësit e Policisë, të planizuar me shërbim para Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit të Shqipërisë.

Nga goditjet, kundërshtimet dhe përdorimi i lëndëve piroteknike, sendeve të forta, kapsollave e fishekzjarrëve kanë mbetur të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët morën ndihmën në spitalin e Traumës.

Si pasojë e përdorimit të lëndëve piroteknike, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në godinën e Kryeministrisë dhe selisë së Parlamentit.

Bazuar në prova, pamje filmike, raporte shërbimi u arrestuan në flagrancë 42 persona, si dhe janë proceduar në gjendje të lirë 17 persona të tjerë për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, ”Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” shtetasi G.B.

Vijon puna për identifikimin e persona të tjerë të dyshuar për kryerjen e veprimeve të kundraligjshme në këtë protestë të dhunshme. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.