Policia kërkoi verifikim, ukrainasi ia futi vrapit, ishte paguar për ….

Një ukrainas i arrestuar në Kakavijë dy ditë më parë dyshohet se është një vrasës me pagesë. Ai përdori një pasaportë të falsifikuar për të kaluar kufirin nga Shqipëria drejt Greqisë. Dyshimet janë ngritur në momentin kur oficerët e Policisë kërkuan të bënin verifikime shtesë, 28-vjeçari Maryan Yatsula jo vetëm i kundërshtoi, por tentoi që edhe të largohej me vrap.

Pas verifikimit në vijën e dytë u zbulua se Maryan Yatsula përdorte një dokument të falsifikuar si grek, me emrin Dimitrios Kantzelis. Nga shenjat e gishtave, u zbulua që ukrainasi ishte në kërkim për vrasjen e një shqiptari në Athinë dhe mënjëherë u arrestua nga Policia Shqiptare.

Por Maryan Yatsula dyshohet si vrasës me pagesë edhe në Shqipëri. Një burim nga Policia e Shtetit tha për Gazetën Mapo se po verifikojnë 28-vjeçarin, pasi ai mund të ketë kryer vrasje edhe në vendin tonë. Policia nuk thotë konkretisht për çfarë ngjarje bëhet fjalë, por ka dyshime që Maryan Yatsula të jetë i përfshië në vrasje të pazbardhura në Shqipëri. Rezulton se ukrainasi ka hyrë disa herë në Shqipëri me identitet të rremë. Policia tregohet e rezevuar, ndërkohë që Maryan Yatsula deri më tani ka refuzuar të flasë për sa i përket vrasjeve që mund të jetë i përfshirë.