Policia nis aksionin e madh pas 2 ditësh, në Shkodër pritet…

Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash i cili pritet të vihet në zbatim në fillim të muajit shkurt për parandalimin e kultivimit të kanabisit.

Prej 1 shkurtit, muaj edhe kur nis mbjellja e farave të kësaj lënde narkotike, Policia e Shtetit do te nisë punën në terren që në kontrollet e imtësishme në kufij për parandalimin e futjes së farave në territorin shqiptar e deri në kontrollet në terren.

Ky plan veprimi është vijim i strategjisë Antikanabis të hartuar me qëllim nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e vendeve që kultivojnë drogë. Plani i veprimit ka si qëllim evidentimin dhe shkatërrimin e farishteve, kubikëve që mund të kultivojnë bimë narkotike, të sekuestrimit të farave cannabis sativa.

Në operacion pritet të angazhohen me mijëra punonjës Policie në të gjithë vendin duke përfshirë 12 drejtoritë si edhe komisariatet në varësi. Angazhim më të madh do të kenë qarqet që janë identifikuar si problematike me kultivimin e kanabisit në vite, ku kryeson Shkodra me zonat malore të saj si: Dukagjini me fshatrat Shalë, Shosh, Pult, si dhe bashkia Vau Dejës me Shllak, Temal. Kontrollet priten te kryhen nga Specialistët e Policisë së Zonës, Patrulla të Përgjithshme si dhe kryetarët e fshatrave dhe do të përqendrohen më tepër në serra, farishte, ish depot e ushtrisë, tunele e banesa të braktisura.

Kontrollet më pas do vijojnë në ambiente të hapura, të cilat do të përzgjidhen mbi bazë informacionesh që disponon policia si dhe mbi bazë risku. Megjithëse në vitin që lamë pas pati më pak raste të evidentuara, sërish kultivim ka patur dhe tentativa për kalim jashtë kufirit, ç’ka tregon se përtej luftës që bën shteti, kultivuesit nuk ndalen. E këtë vit detyra bëhet më e vështirë në një kohë që vendi ndodhet përpara një procesi zgjedhor dhe këto muaj mund të shfrytëzohen nga këto persona, për këtë qëllim është hartuar plani që kontrollet të mos vonojnë të nisin.