Policia Rrugore: Rritet numri aksidenteve nga femrat, këpucë të papërshtatshme

Është rritur numri i femrave shofere që përfshihen në aksidente me pasojë jetën. Në këtë përfundim ka arritur të dalë Policia Rrugore pas një analize të bërë për muajt korrik-gusht. Kreu i Policisë Rrugore, Mithat Tola, tha se vetëm javën e fundit janë 8 drejtuese mjeti të konstatuara në gjendje të dehur, për të cilat ka filluar ndjekja penale. Vetëm dy ditë më parë një aksident me pasojë vdekjen e dy personave u regjistrua pranë Kodrës së Kamzës në Tiranë ku në drejtimin e automjetit të përfshirë në aksident ishte pikërisht një femër, Rozina Koleci 38-vjeçe.

Deklarata e kreut të Policisë Rrugore Mitat Tola:
Nisur nga aksidenti i rëndë, i ndodhur në afërsi të “Urës Kamzës” në datë 08.08.2018, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy persona të tjerë, pas një analize paraprake të shkaqeve të aksidentetve të diteve të fundit evidentojmë:
1. Tejkalimi i normave të shpejtësisë së mjeteve brenda qendrave të banuara është një nga shkaqet kryesore të humbjes së kontrollit të mjetit dhe premisë për tu përfshirë në aksidente rrugore; 2. Përdorimi i aparateve celularë gjatë drejtimit të mjeteve, është një nga shkaqet kryesore të tërheqjes së vëmendjes nga drejtimi i mjetit, që shpie pastaj humbjen e kontrollit të tij; 3. Qarkullimi i biçikletave duhet të bëhet në kujdesin më të madh. I kujtojmë drejtuesve të mjeteve, se drejtuesit e biçikletave dhe të çiklomotorëve nuk janë të mbrojtur nga “karkasa” metalike, sikundër mjetet, mjafton një pakujdesi e dyanëshme dhe pasojat mund të jenë të rënda.

Kapërcimi i kryeqëzimeve prej drejtuesve të biçikletave duhet të bëhet në kujdesin maksimal, dhe në çdo rast edhe drejtuesit e biçikletave duhet të fillojnë të përdorin kaskot mbrojtëse të veçanta; 4. Këmbësoret brenda qendrave të banuara, duhet të kryejnë kapërcimin e kryqëzimeve me kujdesin maksimal atje ku janë vijat e kalimit të këmbësorëve, dhe jo të kryejnë kapërcime diagonal të kryqëzimeve, duke venë në rrezik jetën e tyre dhe të të tjerëve;

5. Jashtë qendrave të banuara këmbësoret duhet t’u japin përparësi drejtuesve të mjeteve dhe të kryejnë kapercimin e karrexhatës vetëm kur të jenë të sigurtë që kapërcimi i rrugës mund të bëhet pa rrezikuar jetën e tyre; 6. Policia Rrugore detyrohet të kujtojë, se gjatë drejtimit të mjeteve brenda dhe jashtë qendrave të banuara, janë të ndaluara përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale, shkrepja e fotografive për ti shkëmbyer në instagram dhe në fb.
7. Nisur nga analiza e aksidenteve të muajit Korrik dhe muajit Gusht në vijim, ka një numër “të evidentuar” drejtuese mjeti femra që janë përfshirë në aksidente rrugore më pasojë, ndërkohë që dua të theksoj edhe të dhënën tjetër, që vetëm javën e fundit janë 8 drejtuese mjeti të konstatuara në gjendje të dehur, për të cilat ka filluar ndjekja penale. Sa më sipër kërkojmë të rritet kujdesi nga kjo kategori drejtuesish mjeti gjatë drejtimit të mjetit, për të evituar shkeljet dhe për të parandaluar në maksimum aksidentet me pasojë jetën e tyre dhe të shtetasve të tjerë.

Drejtimi i mjeteve nga “kjo kategori drejtuesish” me kepucë të përshtashme, mospërdorimi mundësisht edhe i duhanit gjatë drejtimit të mjeteve, mosmbajtja e kafshëve shtepiake në kabinat e autoveturave të tyre pa i siguruar, do të lehtësonte manovrueshmërinë më të mirë gjatë drejtimit të mjeteve dhe do të evitonte përfshirjen në aksidente. Policia Rrugore po vazhdon me gatishmëri maksimale monitorimin e trafikut. Aksioni i saj këtë javë ka qenë kontrolli ndaj drejtuesve të mjeteve me dy rrota për mospërdorim të kaskove mbrojtëse;

Kontrollet e Policisë Rrugore gjithashtu kanë vazhduar për drejtuesit e mjeteve që përdorim celularët gjatë drejtimit të mjeteve; Për realizimin me efektivitet të kontrolleve të mësipërme nga shërbimet e Policisë Rrugore, për identifikimin e këtyre shkeljeve janë angazhuar shërbime policore rrugore “civile” me mjete “jo të uniformuara” të policisë;

Nisur nga aksidenti i rëndë i ndodhur në Bolonja të Italisë me përfshirjen e një mjeti autobot që transportonte lëndë të rrezikshme, ku pasojat ishin të rënda për përdoruesit e rrugës, prej ditës së Mërkurë nëpërmjet një plani operacional të veçantë, shërbimet e Policisë Rrugore kanë kontrolluar dhe po kontrollojnë kategorinë e mjeteve dhe të drejtuesve të mjeteve që transportojnë në Shqipëri karburante dhe lëndë të rrezikshme në drejtim të respektimit të normave të veçanta për këtë kategori dhe të sistemeve e të pajimeve të parashikuara në Kodin Rrugor;

Gjithashtu nëpërmjet mediave lokale dhe rrjeteve sociale, 12 drejtuesit e shërbimeve vendore të Policisë Rrugore kanë komunikuar dhe do të vijojnë ta bëjnë këtë, për çdo sqarim dhe kërkesë të qytetarëve në lidhje me informacionin për trafikun. Nga ana tjetër vazhdoj të ftoj çdo qytetar dhe drejtues mjeti të denoncojnë në numrin falas 112 dhe në aplikacionin “Komisariati Digital” duke dërguar imazhe dhe foto mbi shkeljet që ndeshin në akset rrugore, si parakalime të gabuara, shpejtësi tej normave etj, duke u garantuar reagim të shpejtë dhe profesional nga ana e Policisë së Shtetit.

Policia Rrugore kërkon mirkuptimin dhe mbështetjen e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve, për ngadalësimin e trafikut, veçanërisht në momente mbingarkese të tij në akse dhe segmente rrugore në zonat turistike të vendit.