Politika në Tiranë i trembet fuqisë së LVV, Kurti i nxjerr “bllof” të gjithë: Nuk e di ç’kanë bërë publikisht, por asnjë s’më ka uruar drejtpërdrejtë

Kosova me zgjedhjet e fundit, ato të parakohshmet e 6 tetorit tregoi një kulturë demokratike për t’u patur zili përsa i përket procesit model zgjedhor e gjithashtu populli i Kosovës tregoi një ndërgjegje kombëtare e qytetare për t’u marrë shembull.

Zgjedhja e Lëvizjes Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin ishte një zgjedhje inteligjente dhe refuzuese ndaj sistemit politik të ngritur deri më tani në Kosovë. Ishte një goditje e një establishmenti që për 12 vjet me radhë veçse kishte ndërruar postet me emra të ndryshëm, por me qëllim të njëjtë: zhvatjen e shtetit me anë të korrupsionit masiv dhe nepotizmit në kuota alarmante.

Sigurisht, që kjo ngjarje aspak për t’u anashkaluar në Kosovë, do të ketë rezonanca të fuqishme edhe në Tiranë. Për më tepër tani që jemi në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kurtit që pritet të bëhet kryeministër i Kosovës dhe Edi Ramës janë ftohur së tepërmi, krisje kjo që daton që nga protesta e studentëve dhjetorin e kaluar, kur kryetari i Vetëvendosjes zhvilloi dhe një takim në Fakultetin e Shkencave Sociale për të shprehur mbështetjen e tij ndaj kauzës së studentëve.

Për mos t’u anashkaluar është dhe fakti se Rama i trembet një gjëme të tmerrshme, që do ta bënte hi pushtetin e tij. Rama i trembet fuqizimit dhe kthimit në parti politike të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri. Meqenëse rreth 60 % të shqiptarëve nuk janë me asnjë parti dhe e urrejnë këtë klasë antikombëtare politike, Lëvizja Vetëvendosje mund të kthehej në një uragan politik, që do të fshihte si pushtetin e Ramës, ashtu edhe opozitën e katërshes së korrupsionit, Meta, Berisha, Basha dhe Monika.

Zgjedhja e Kurtit në fakt është një këmbanë alarmi edhe për politikën e lartë në Tiranë, kur Basha, Rama, Meta, Kryemadhi kanë qenë pikërisht si establishment i Kosovës, duke ndërruar vendet mes tyre e duke çuar vendin në humnerë. Ora e gjykimit duket se po afron edhe për kastën politike në Shqipëri, që e uroi Kurtin sa për sy e faqe dhe e përdori fitoren e tij për politikën e ditës në vend.

Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Kohavision”, Kurti tregoi hapur marrëdhëniet e cunguara, që shprehin një inferioritet dhe frikë ndaj një modeli të ndershëm dhe dinjitoz dhe një partie si LVV, që thërret ngritjen në piedestal të intelektit e jo PPP-ve e marrëveshjeve korruptive. “Asnjë nga liderët e politikës shqiptare nuk më ka uruar. Nuk kam pasur asnjë mesazh. Ndoshta më kanë uruar publikisht e unë nuk e kam lexuar, por drejtpërdrejtë nuk kam marrë asnjë urim” – u shpreh Kurti duke nxjerrë hapur pafytyrësinë e Ramës, Bashës e Presidentit Ilir Meta.

Rama në fakt e di shumë mirë se me heshtjen e tij në lidhje me çështjen e shkëmbimit të territoreve dhe mbështetjen ndaj Thaçit është rreshtuar në anën e gabuar të historisë dhe përplasja me Kurtin është e pashmangshme në një kohë që duket e afërt në fakt. Aktivizmi që dënon politikën hajdutëve dhe abuzuesve me pushtetin e tremb politikën në Tiranë, e Ramën të parë, që tronditjen e parë e mori me protestën e studentëve, e po vazhdon ta marrë përditë, me tenderat e palogjikshëm që po akordon e me PPP korruptive që po firmos.