“Popull me plagë të thella”, kujt ia dërgon arqipeshkvi i Shkodrës mesazhin e fortë

Me një mesazh të fortë i është drejtuar bluzave të bardha arqipeshkëvi i Shkodër – Pult, imzot Angelo Massafra, duke prekur atë që pa frikë mund të quhet plaga e viteve të fundit e Shqipërisë, ikja e mjekëve. Gjatë meshës në ditën e të sëmurëve, imzot Massafra kërkoi që të frenohet ky fenomen dhe mjekët të qëndrojnë në Shqipëri e të kryejnë misionin e tyre human ndaj të gjithë të sëmurëve, e jo të kërkojnë të ikin larg për të qenë rehat.

“Njeriu duhet të jetë më human. Në spitalet tona duhet të kemi më shumë zemër. U bëj thirrje mjekëve të mos largohen nga Shqipëria, të mos mendojnë vetëm për para. Nëse ata largohen në vendet e tjera, kush mbetet këtu për të dhënë shërbimin e merituar, nuk është e drejtë. Kemi festuar vitin e Skënderbeut, ai ka luftuar deri në vdekje. E sot ne çfarë bëjmë, zgjedhim të ikim në vende të tjera për të qenë më rehat.

Duhet të duam më shumë vendin tonë, njerëzit tonë, që të japim kontributin e duhur. Nuk është e drejtë, nuk është mire që të gjithë të lajmë duart, e ata që vuajnë çfarë të bëjnë”? Ashtu si për shumë tema të tjera sociale, edhe njëherë tjetër kreu i kishës katolike të Shkodrës jep një mesazh sa sensibilizues, aq edhe domethënës për ditët që po kalon vendin ynë, ku në masë mjekët dhe infermierët kërkojnë të ikin në Europë, kjo për shkak të pagave të larta, kushteve më të mira të punës dhe një trajtimi sipas tyre dinjitoz që u bëhet nga shteti. Vetëm në 2 vitet e fundit me dhjetra mjekë e infermierë lanë Shkodrën dhe Shqipërinë për të kërkuar një jetë më të mirë në Gjermani apo shtete të tjera të Europës.