Profesori i njohur shpërthen ndaj Ramës: Madhëria Ekselente e Rimëkëmbjes Delirante Arbërore, shkurt MERDA

“Kutërbimi ynë kombëtar vjen nga oturaku personal, partiak e pushtetar i vetë të përjetshmit MERDA”.

Profesori Edmond Tupe shpërthen ndaj kryeministrit Edi Rama në një opinion shkruar për gazetën Panorama.

Në shkrimin e tij, profesori e quan shefin e qeverisë “Madhëria Ekselente e Rimëkëmbjes Delirante Arbërore (shkurtimisht MERDA), e që sipas tij, era e “kërmës”, vijon të jetë përqark “që prej disa vitesh”, kur ai, “MERDA, erdhi në pushtet”.

“Duke e menduar më thellë domethënien e këtyre fjalëve nën dritën e situatës ekonomike, politike, shoqërore e kulturore në të cilën ndodhet sot Shqipëria jonë e famshme për fatkeqësitë e saj, kam arritur në përfundimin se këtë ndjesi, ose më saktë këtë përshtypje, populli ynë duhet ta ketë pasur prej shekujsh, pra, gjatë sundimit romak, më pas gjatë sundimit otoman, më vonë nën regjimin komunist, më pranë nesh gjatë vitit të mbrapshtë 1997 dhe për pasojë, rrjedhimisht e pashmangësisht që prej disa vitesh, kur në pushtet erdhi Madhëria Ekselente e Rimëkëmbjes Delirante Arbërore (shkurtimisht MERDA)”, shkruan ndër të tjera Tupe në editorialin e tij.

Opinioni i plotë, shkruar për gazetën Panorama, me titullin “Kutërbim kombëtar”:

Shkrimin tim të para një jave, atë të po kësaj rubrike, e përfundoja duke nënvizuar se as unë, as shumë nga bashkatdhetarët e mi “nuk e kuptojmë përse rreth e qark nesh vjen përherë e më shumë një si erë ngordhësirë, një si erë cofëtinë, një si erë kërmë, e padurueshme dhe helmatisëse”. Duke e menduar më thellë domethënien e këtyre fjalëve nën dritën e situatës ekonomike, politike, shoqërore e kulturore në të cilën ndodhet sot Shqipëria jonë e famshme për fatkeqësitë e saj, kam arritur në përfundimin se këtë ndjesi, ose më saktë këtë përshtypje, populli ynë duhet ta ketë pasur prej shekujsh, pra, gjatë sundimit romak, më pas gjatë sundimit otoman, më vonë nën regjimin komunist, më pranë nesh gjatë vitit të mbrapshtë 1997 dhe për pasojë, rrjedhimisht e pashmangësisht që prej disa vitesh, kur në pushtet erdhi Madhëria Ekselente e Rimëkëmbjes Delirante Arbërore (shkurtimisht MERDA).

Aktualisht dhe përherë e më tepër, me bëmat e saj në përmasa të papara, të padëgjuara e të paimagjinueshme – arbitraritet, korrupsion, krim e narkotrafik, ndër të tjera, e lavdishmja MERDA po sundon e mbretëron e paqortueshme dhe e padënueshme, duke i drejtuar fatet e popullit tonë të urtë me një dorë të hekurt, mendje djallëzore, cinizëm perandorak, dhunë faraonike, egërsi sulltaneske dhe arrogancë të ngritur në art, tejet e sigurt, thellësisht e bindur e krejt krenare se nuk ka forcë në botë, madje as në universin tonë, që ta lëvizë dhe ta zbresë nga maja e pushtetit ku ndihet përfundimisht e përjetshme.

Mirëpo, ah, ka gjithmonë diçka të paparashikuar që, si një pordhë e pabesë (me nder jush!), ngrihet e shpërthen papritur e pa kujtuar, sidomos pa u ftuar, për të turbulluar ujërat e për t’i prishur punë parfumit të Shkëlqesisë MERDA. E kam fjalën pikërisht për atë erë ngordhësire, cofëtine apo kërme që po qelb mbarë Shqipërinë nga Vermoshi në Delvinë.

Pasi vranë mendjen për disa muaj rresht, shkencëtarët tanë – sociologë, psikologë, psikiatër e sidomos psikanalistë– bashkë me disa kolegë të huaj, sapo kanë zbuluar vijon nga faqja 1 epiqendrën e kutërbimit që po përndjek pa pikë turpi apo mëshire Hirësinë MERDA. Ku ndodhet ajo me saktësi? Ah, mjerisht bëhet fjalë për një epiqendër të lëvizshme: Ajo shfaqet herë rrëzë malit të Dajtit, herë në Tiranë në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, herë buzë detit – Vlorë, Sarandë, Durrës apo Shëngjin –, atje ku vapa sikur arrin ta frenojë disi përhapjen e ajrit të molepsur, por epiqendra në fjalë është lokalizuar nga satelitët amerikanë, rusë e kinezë edhe në pika të tjera të rruzullit tokësor si Kosova, Turqia, Belgjika, Gjermania, Franca e ndonjë tjetër vendi i Bashkimit Europian.

Të nderuara lexuese dhe lexues të respektuar të këtyre radhëve! Tani do t’ju vë në dijeni të një supozimi tmerrësisht turbullues e tronditës që miku im i vjetër Aqif Qifa, leximtar gllabërues romanesh me detektivë, guxoi e bëri dje, me zë të ulët, në praninë time të pafajshme, por pa rënë në sy të askujt tjetër. Çfarë më tha? Vërtet po vdisni nga dëshira e padurimi që ta mësoni? Mirë pra, dakord, po jua pohoj botërisht:

Sipas mikut tim, nuk është kutërbimi i neveritshëm prej ngordhësire, cofëtine apo kërme që nuk po i shqitet personalitetit të shquar MERDA, por ky i fundit që nuk po i ndahet atij kutërbimi, aq sa Aqif Qifa dyshon se, me gjithë respektin që vetë ai ushqen së gjati, së gjeri e së thelli për personalitetin gjenial MERDA, ky e merr fshehurazi kutërbimin me vete për t’u dhuruar sadopak diçka prej atij edhe homologëve të vet të huaj si brenda vendit tonë, ashtu edhe në Lindje e në Perëndim të tij.

Por a dini çfarë më mësoi Aqif Qifa jo më me fjalë të pëshpëritura në vesh, por me shkrim në një copë letër, të cilën me ta mbaruar unë së lexuari, e bëri copë e çikë për ta gëlltitur në çast para syve të mi? Kurrë s’kam për t’i harruar ato dy rreshta të shkruara prej atij me dorën që i dridhej, të cilat po jua riprodhoj besnikërisht: “Kutërbimi ynë kombëtar vjen nga oturaku personal, partiak e pushtetar i vetë të përjetshmit MERDA”.