Projekt buxheti i vitit 2021/ Si janë menaxhuar paratë e shkodranëve? Çfarë paralajmëroi Senida Mesi



Projekt buxheti i vitit 2021 pritet të jetë një nga pikat ku në këshillin bashkiak të Shkodres mund të shohet një përballje me sfond të fortë politik mes administratës vendore dhe të zgjedhurve socialist.



Konsultimet që kanë nisur këto të fundit në qytet dhe njësi administrative, qartazi do të jenë zëri me të cilin do të mbrojnë vetën e tyre këto të zgjedhur, duke ngritur edhe akuzat për investime me sfond politik që deri më tani ka bërë Voltana Ademi me stafin e saj.



Një gjë e tillë u paralajmërua nga deputetja Senida Mesi, e cila ju tha haptazi përfaqësuesve të këshillit, se roli i tyre duhet të jetë ky, të monitorojnë cdo veprim që ndermerret dhe që ka sfond politik, kryesisht duke e specifikuar tek investimet. Kjo gjë ka dalë haptazi edhe në takime, prandaj “lufta” mes palëve nën kërcënimin e kartonit të votës do të jetë e madhe.

Në këtë pikë Ademit i duhet të negociojë dhe rruga më e mundshme ka gjasa të jetë kjo, që mes tyre të gjendet dakortësi, ose në të kundërt buxheti të mos miratohet. Të dy grupet, që në vetvete kanë politika dhe ndjekin interesa të ndryshme, janë drejt fazës finale si të konsultimeve dhe të draftit që do të paraqitet për diskutim e më pas miratim.

Një gjë është e qartë në këtë mes, se tek asnjëra palë nuk ka më rendesi zëri i qytetareve, por përfitimi politik, ai për të cilin që kur nisin një mandat përfaqësimi, e kanë edhe merakun kryesor.

Përpara votës, këshilli duhet të tregojë një tjetër lartësi detyre, ti bëjë një analizë të fortë asaj cfarë ka bërë në 2020-en Voltana Ademi. Si janë menaxhuar paratë e shkodranëve? A janë përmbushur të gjitha pikat e programit buxhetor? Pasi të jetë panorama e plotë e këtij viti që po mbyllim, atëherë ti jepet jetë një tjetër buxheti të ri, që të mos rrezikojë të jetë përsëritje e të shkuarve./ShkodraNews