“PS është partia e oligarkëve, një cofëtinë e harruar mbi dhè”

Nga Arlind Qori

Partia të cilës sot i festojnë ditëlindjen e ka pasur jetën të shkurtër dhe agoninë e gjatë. Ndonëse lindi prej brinjës së një partie të degjeneruar burokratikisht si PPSH, në vitet e para të jetës së saj PS ia doli të kishte një farë rëndësie historike. Asokohe, ajo ishte partia e ish-mësuesve dhe ish-ushtarakëve, që shisnin banane e gazeta anës rrugës, dhe shërbente si një lloj ushqyese e shpresës se kapitalizmi i sapoformuar shqiptar mund të merrte një trajtë më pak shtazarake. Në krye kishte një nënkryetar që kujdesej t’i ngacmonte emocionalisht vizitorët me një bust të vogël të Marksit në zyrë.

Prej 1997 e tetë vite rresht, PS nisi agoninë e saj të gjatë politike. Burokracia e lartë partiake vazhdoi me temp akoma edhe më të lartë reformat neoliberale të nisura nga qeveria e PD. Kurrë nuk është privatizuar më shumë, më egër dhe më abuzivisht sesa gjatë atij tetëvjeçari. Ajo u shndërrua në partinë e drejtorëve me bark të madh dhe grykësi të pashoqe.

Sidoqoftë, duhej pritur viti 2005 që PS të vdiste politikisht një herë e mirë. Zëvendësimi i burokracisë së vjetër me enturazhin e më të pacipit kryetar – Gaztor Ramës – shoi një herë e mirë çfarëdo iluzioni se ajo parti mund të bëhej ndonjëherë. Sot ajo është partia kryesore e oligarkisë, të cilën e majm me tendera, koncesione e PPP-ra, ndërkohë që poshtë ka sofistikuar lidhjet klienteliste përmes një rrjete punësimesh e favoresh, duke mbajtur me gajret pak mijëra përfitues të vegjël.

PS është një cofëtinë e harruar mbi dhe, për vazhdimin e kundërmimit të të cilës na duhet të falënderojmë cofëtinën tjetër me akronimin PD.