PS “i vë vulën” 30 qershorit! Nis printimi i fletëve të votimit, në 31 bashki, vetëm një kandidat

Partia Socialiste ka vendosur që të realizojë zgjedhjet, edhe pse pa opozitën.

Rreth 60 milionë lekë është kostoja e prodhimit të fletëve të votimit. Shumë më pak se në zgjedhjet e kaluara vendore, kur për bashkitë e këshillat bashkiakë ishin përfshirë në garë 61 parti.

Kompania sllovene “Cetis”, e kontaktuar disa herë nga KQZ, do të jetë ajo që do printojë fletët.

Në 31 prej bashkive do të votohet vetëm për  një emër. Ndërsa në 30 të tjera, zyrtarisht, do të ketë garë, sipas asaj që shkruhet në fletën e votimit, por praktikisht, të paktën në katër prej tyre, emri i kandidatit do të jetë thjesht formal, pas dorëheqjes së kandidatëve të Bindjes Demokratike në Lezhë, Çorovodë, Kavajë dhe Kamzë.

Kjo parti kishte regjistruar kandidatë në 25 prej bashkive. Ndërsa çështja për Kamzën është ende në Kolegj Zgjedhor. Në 4 prej bashkive ka 3 kandidatë, konkretisht në Lezhë, Këlcyrë, Selenicë e Berat. Ndërsa në Devoll, në garë janë 4 kandidatë.

Shpresa për Ndryshim, Partia Konservatore Albania, MEGA, Aleanca e Maqedonasve dhe Partia Komuniste janë partitë të cilat në 30 qershor paraqiten me kandidatë. Duke përfshirë këtu dhe kandidatët e pavarur, alternativë tjetër përveç PS dhe Bindjes Demokratike, do të ketë në 9 prej bashkive, atë të Lezhës, Prrenjasit, Klosit, Pustecit, Devollit, Këlcyrës, Beratit, Selenicës dhe Finiqit.

Pavarësisht këtij realiteti, socialistët kanë nisur fushatën elektorale me regjim të plotë, ndonëse do të jenë të vetmit në më shumë se gjysmën e fushë-betejave.