PS mbledh Kryesinë, Rama gati për të nisur një strategji të re për krijimin e…

Në një kohë kur kriza politike në vend vijon prej disa ditësh, Partia Socialiste duket se nuk do të ndalë përgatitet për zgjedhjet lokale. Sot ajo do të mbledhë Kryesinë pikërisht për të diskutuar për kandidatët.

Nga ana tjetër burime nga PS kanë bërë me dije se nuk pritet të ketë ndryshim nga strategjia e ndjekur deri më tani nga mazhoranca, për të vijuar plotësimin e vendeve vakante në Kuvend deri në shterimin e listave shumëemërore të partive për të krijuar një Kuvend sa më funksional me një opozitë të re.

Gjithashtu, PS do të vijojë të mbajë një qëndrim të prerë për të ofruar dialog me opozitën, por edhe duke u përpjekur që të mos lëshojë pe sa i përket ndryshimit të mundshëm të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Socialistët në vazhdimësi janë përpjekur që të bëjnë të qartë se zgjedhjet do mbahen në datën e dekretuar nga presidenti më 30 qershor.

Kandidatët

Një tjetër pikë e diskutimeve të kryesisë së sotme është edhe rendi i ditës së Kongresit që do mbahet të shtunën në 23 mars. Kështu, mësohet se kryesia do të miratojë axhendën e diskutimeve, ku duket se do të mungojë pika për miratimin e listës së kandidatëve për kryetar bashkie siç edhe ishte përcaktuar më parë. Sipas burimeve nga PS në kongres do bëhet prezantim i disa kandidatëve si modele të suksesshme të qeverisjes lokale të PS-së, por nuk do ketë miratim të një liste të plotë kandidatësh.