PS Shkodër në krizë përfaqësimi/ Njihuni me arsimimin e kryetarit të ri të Qarkut

Hilmi Lakti u zgjodh me shumicë votash dhe nën konsensus që u arrit me herët nga socialistët, në krye të qarkut Shkoder, duke zëvëndësuar në këtë detyrë Greta Bardelin. Por të gjithë me të drejtë pasi kanë dëgjuar emrin e tij, deri diku surprizë, kanë pyetur se kush është Lakti, cfarë përfaqëson dhe cili është formimi i tij.

Kreu i ri i qarkut Shkoder i cili në moshën 50 vjeçare ka nisur studimet e larta në një universitet privat, sot i mbyllur nga qeveria pasi nuk përmbushi kriteret e kërkuara, është një ish ushtarak.

Bazuar në CV e tij dhe të dhënat e hedhura në të, ai rezulton që prej vitit 1982 deri më 2011, Lakti të ketë mbajtur gradën e nënoficerit, por duke mos u dhënë si detaj nëse ka kryer apo jo shkollë të lartë ushtarake. Me gjasa që jo pasi grada nënoficer – kapter, nuk ka një shkollim të tillë thonë ish ushtarakë që njohin të tilla shkallë kualifikimi.

3 vjet studime në “Argenti” dhe në moshën 53 vjecare Lakti përfundon ciklin “Bachelor” por duke mos vijuar më tej kualifikimet si jurist. Angazhimi i tij politik në PS njeh shkallën më të lartë, atë të postit si kryetar i kesaj partie për Anën e Malit, ndërsa nga sot ai do të jetë në krye të qarkut Shkoder me 18 vota pro dhe 1 kundër.

Por me gjithë këtë zhvillim të këtyre orëve dhe ardhja deri tek emri i Laktit, nuk mund të mos kuptosh se deri në cfarë pike është katandisur PS e Shkodres, e cila nuk ka përfaqësim, i mungon vizioni i drejtimit dhe po e zhyt edhe më në krizë qytetin më të rëndësishëm të veriut Shqiptar dhe një ndër më të rëndësishmit në vend e rajon.

Potencialisht dhe historikisht Shkodra ka dhënë shumë, e asesi nuk mund të trajtohet si një qytet i dores së tretë, por për socialistët që kanë humbur busullën e tyre të orientimit, kjo gjë nuk përbën më problem. Ata tashmë po e shohin cdo gjë vetëm e vetëm si mall të tyrin që ta trajtojnë sa të munden për shfrytëzim, pa pyetur për pasojat e mëvonshme.

Kjo krizë përfaqësimi dhe mungesa e një dore të drejtë për ti dhënë drejtimin e duhur situatës, do të bëjë që edhe vetë PS e Shkodres ta ndiejë jo shumë larg krisjen e madhe, që do të jetë edhe për vetë atë shkatërruese. Kryeministri Rama që tashmë ka nisur të lodhet me këtë qytet dhe të zgjedhurit e tij, ka vendosur të distancohet dhe Shkodra po mbetet jetimja me të cilën të gjithë po tallen./ShkodraNews