Pse ishte në Durrës ditën e atentatit? Zbulohen provat që gjeti prokuroria

I arrestuari i vetëm për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arian Ndojës, kërkon lirinë në Apel. Redjan Rraja nuk është dakord me masën e sigurisë.

Në përgjigje të interesit të mediave, avokati Besnik Çerekja, duke dalë nga Prokuroria për Krime të Rënda ku kishte kërkuar nga Akuza që t’i bëheshin të ditura të gjitha aktet me të cilat synojnë të provojnë se klienti i tij ka pasur lidhje me ngjarjen kriminale ka thënë:

“Nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, nuk ka asnjë lidhje me gjurmët e gishtave të pretenduara të gjetura te syzet dhe me të gjithë njerëzit e përfshirë në këtë histori”.

Rraja vazhdon t’i mohojë akuzat që ka ngritur Prokuroria dhe ka shpjeguar se ndodhej atë ditë në Durrës, për shkak se kishte punë të vetat personale me makinën.

Por nga ana tjetër, Prokuroria thotë se ka prova që e lidhin të dyshuarin me atentatin, e konkretisht gjurmë papilare dhe qelizat telefonike të tij, që tregojnë vendndodhjen në momentin kur u zhvillua atentati në mbikalimin e Shkozetit.