Pse këshilli bashkiak i Shkodrës që po mbyll mandatin, do të jetë leksion për partitë politike

Këshilli bashkiak i Shkodrës që po mbyll mandatin, pa frikë mund të jetë edhe si një leksion i mirë për partitë politike në prag të zgjedhjeve vendore të 30 qershorit!

Kjo për faktin se ata do të bëhen gati të përzgjedhin emrat e rinj për tu ulur në 51 ndenjëset e këshillit, apo parlamentit të qytetit.

E natyrisht kur flitet për përzgjedhje, tashmë është koha që qytetarët të ndërgjegjësohen dhe të refuzojnë listat e mbyllura familjare e pa përfaqësimin real qe nesër të jetë zëri i problematikave të tyre.

Vetë partitë do të duhet ti japin shenjat e ndryshimit sepse deri me tani, në këto 29 vite luhatjet kanë qenë të mëdha dhe në vend të përmirësimit, listat kanë ndjekur tjetër trend, duke u bazuar mbi lidhje familjare, orekse personale të kandidatit apo nga mungese rrotacioni, duke larë e shpërlarë të njëjtat figura prej kaq mandatesh.

Është e kuptueshme që kjo situatë rëndon më së shumti qytetarët që përherë e më pak po ju dëgjohet zëri, ku zona të tëra vuajnë keqmenaxhimin e investimeve, trajtimit të mbetjeve urbane, furnizimit me ujë të pijshëm etj, por të gjithë heshtin ose flasin sipas oreksit personal.

Këshilli del nga qytetarët por nuk i përfaqëson ata duke e lënë zërin e tyre të shurdhët dhe ketë partitë duhet ta kuptojnë, pasi po rrezikojnë përherë e më shumë të shkojnë drejt përkrahjes minimale. Bllokimet e herëpashershme apo dështimet e mbledhjeve janë një tjetër shëmbëlltyre, që tregon se pushteti lokal është ne krize.

Nëse Voltana Ademi deri më sot për interesa të ngushta ka kënaqur një pjesë me tendera, punësim apo favore te tjera, kryetari i radhës i bashkisë ose rrezikon të bjerë në të njëjtin nivel ose të bllokohet nga përfaqësimi i keq që ka një këshill mish mash prej 51 anëtaresh, por që kurrë si pa përveç ditës se betimit të gjithë të zgjedhurit në atë sallë.