Pse Rama nuk e zyrtarizoi Valdrin Pjetrin si kandidat për bashkinë Shkodër

Në fund të muajit Maj pritet që socialistët të zyrtarizojnë kandidatin për kryetar të bashkisë Shkoder. Megjithëse emri thuajse është zyrtar, pasi partia socialiste do t’ia besojë këtë sfidë prefektit të ri në detyrë Valdrin Pjetri, koha e lënë është bërë pikërisht me kërkese të këtij të fundit.

Burime nga selia rozë bëjnë me dije se Pjetri e ka kërkuar këtë periudhë për tu njohur edhe më shumë në terren me qytetarët, por edhe për të vënë në lëvizje drejtoritë rajonale që ditët e fundit një pjesë e madhe e tyre, kanë nisur të shkunden nga pluhuri i gjatë që i kishte mbuluar, duke mos qënë aktive në terren.

I ardhur me kompetenca të plota, madje me bekimin e kryeministrit Rama për të vënë dhe hequr këdo që gjykon se nuk bën punën, Pjetri e ka nisur tashmë një hap të tillë. Por kjo shtyrje e ka edhe një arsye tjetër, që ishin pikërisht sondazhet e brendshme, që ai nuk arriti t’i kalojë me sukses, pasi emri i tij i ardhur i ri, ndonese me origjinë nga Shkodra, nuk njihej në opinion, e madje as tek strukturat e partisë.

Një tjetër faktor që Pjetri po tenton të sheshojë brenda radhëve të partisë janë mosmarreveshjet dhe hatërmbetjet e krijuara tek baza, pas zyrtarizimit të tij si emer nga Rama. Së pari i duhet të rregullojë punët me deputetet, ku haptazi Ditmir Bushati dhe Senida Mesi i kanë dalë kundër, madje duke pranuar të jenë askund përkrah tij në daljet publike që deri më sot ka bërë prefekti Pjetri, me përjashtim të takimit të Ramës, ku të gjithë u vunë në rresht për një.

Sfidat që ka përpara Pjetri janë të mëdha dhe duke qënë se parashikohen që këto zgjedhje të mos jenë aspak normale për vetë kontekstin politik, atij do ti duhet të luftojë në shumë fronte, me rivalët politik dhe brenda radhëve të veta./ShkodraNews