Puka “i ndez” dritën jeshile prerjes së pyjeve, bashkia socialiste hap tender

Moratoriumi i pyjeve është një nga proçeset më të rëndësishme i cilësuar vitet e fundit nga qeveria, edhe si hapi që shpëton kurorën egjelbërt të mbetur në vend, pas masakrës prej 2 dekadash ku pyjet vetëm priteshin, pa u rigjeneruar. Por me sa duket jo të gjitha bashkitë e duan këtë gjë, e madje edhe e ligjërojnë prerjen, duke mos u shqetësuar për pasojat që sjell një fenomen i tillë.

Ky është rasti i bashkisë Pukë në qarkun Shkoder, e cila me sa duket ka vendosur të ndjekë rrugën e kundërt me bashkitë Shkoder e Malësi e Madhe, duke i ndezur dritën jeshile prerjes së pyjeve këtë dimër. Në agjensinë e prokurorimeve publike, bashkia socialiste madje ka hapur tenderin me objekt kontrate: “Shërbim për prerje, transport dru zjarri për furnizimin e banoreve dhe enteve të bashkisë”, që kap vlerën e 4 milion e 894 mijë e 650 lekë, pra thënë ndryshe afro 50 milion lekë.

Me sa duket kryebashkiaku Gjon Gjonaj dhe stafi i tij e kanë më të lehtë të rikthejnë sëpatën e motorsharrat në pyjet e Pukës, sesa të kërkojnë tregun e huaj, e të ruajnë këtë pasuri që nga viti në vit, është dëmtuar nga dora e babëzitur, apo shfrytëzimi pa kriter. Puka është një prej zonave që ka humbur më shumë sipërfaqe pyjore, e asnjë prej firmave që ndër vite kanë fituar tendera të majme, e janë pasuruar në kurriz të pasurisë kombëtare, nuk kanë kryer detyrimin për ta rigjeneruar zonën e shfrytëzuar, duke bërë mbjellje të reja.

Sot harta e Shqipërisë është tkurrur në atë pikë sa pyjet përbëjnë sipërfaqen më të ulët historike dhe me gjasa për ta riparuar të gjithën këtë, do të duhen sëpaku edhe 2 dekada të tjera, gjithmonë nëse bashkitë dhe dora e njeriut ndal marrëzinë për të shfrytëzuar cdo gjë pa kriter./ShkodraNews/