Pushime apo bashkëpunime, çfarë po bën realisht drejtori i Vllaznisë?

“Drejtori sportiv i KF Vllaznia, z.Engin Firat prej disa ditësh ndodhet në Katar. Ashtu siç ishte premtuar, klubi ynë ka nisur bashkëpunimin me disa klube dhe Akademi të ndryshme nëpër botë. Njëra prej tyre është Akademia “Aspire” e Dohas, një nga më të mëdhatë dhe më të mirat në botë. Drejtori Firat zhvilloi takime me drejtuesit e kësaj Akademie për shkëmbimin e njohurive dhe po ashtu, u bisedua për të gjetur mënyrën e bashkëpunimit në mes Akademisë “Aspire” dhe Akademisë së KF Vllaznia.” Kjo është deklarata e bërë sot nga klubi i futbollit Vllaznia në lidhje me një vizitë të drejtorit sportiv Firat në Katar.

Një deklaratë që tregon për nisjen e bashkëpunimeve mes Akademisë Vllaznia dhe atyre të huaja. Por për çfarë bashkëpunimi bëhet fjalë kur vetë Firat nuk ndjek rregullisht ekipet e Akademisë Vllaznia? Kur lojtarët e kësaj skuadre nuk bëjnë pjesë as në 18-shen e skuadrës së parë në këto javë të kampionatit në Kategorisë së Parë? Jo vetëm kaq. Por, drejtori Firat nuk ndjek rregullisht as ndeshjet e ekipit të parë. Vetëm ndeshjet me Dinamon në Shkodër dhe me Burrelin në transfertë ka qenë prezent.

Mos ndoshta është më shumë një vizitë turistike e tij? Natyrisht që këtë vizitë e ka përdorur edhe për të kaluar disa momente qetësie për shkak të “punës së madhe” që po kryen tek Vllaznia. E për këtë nuk ka nevojë për investigim pasi vetë Firat ka postuar foto duke u relaksuar në pishinat e Dohas.

Me shpenzime të tij apo të klubit Vllaznia udhëton Firat? Siç është bërë e ditur edhe para nënshkrimit të tij me klubin Vllaznia, Firat ka pasur një ndër kushtet edhe mbulimin e shpenzimeve në udhëtimet e tij jashtë Shqipërisë, e duke qënë se kontrata është firmosur me kushte të tij atëherë nuk ka pse të shpenzojë para për në Doha apo ndonjë vend tjetër. Nëse do të ketë realisht bashkëpunim kjo mbetet për tu parë, por vështirë se do ndodhë një gjë e tillë. /ShkodraNews