Qeveria heq një tjetër taksë, ja si do jetë kushti për legalizimet e banesave



Qeveria ka hequr taksen e ndikimit në infrastrukturë dhe kjo nuk do të jetë më kusht për marrjen e lejes së legalizimit.



Komisioni i Ekonomisë ka miratuar dje projektligjin “Për sistemin e taksave vendore” në të cilin propozohet heqja e kësaj tarife me argumentin që po sjell vonesa në procesin e legalizimit.



Taksa e ndikimit në infrastrukturë është 0.5 për qind e vlerës së investimit. Konkretisht për një banesë me vlerë 5 milionë lekë, tarifa është 25 mijë lekë. Prej 2018-ës, për të marrë lejen qytetarët kishin detyrimin për të kryer fillimisht këtë pagesë që vilet nga Kadastra, por që shkon për llogari të njësive të qeverisjes vendore. Por me ndryshimet që pritet të hyjnë në fuqi në muajin gusht, ky kusht hiqet duke çliruar procesin nga kjo barrë e panevojshme.

Siç vihet në dukje në relacionin që shoqëron draftin, ALUIZNI sot (Agjencia e Kadastrës) pasi miratonte lejen e legalizimit, njoftonte bashkinë kompetente në mënyrë që kjo e fundit të llogariste dhe t’i njoftonte përfituesit të lejes vlerën e detyrimit për taksën e ndikimit në infrastrukturë. Bashkia pas marrjes së këtij njoftimi, llogarit vlerën e detyrimit të aplikuesit për taksën sipas sipërfaqes ndërtimore. Më pas këtë detyrim bashkia ia njofton subjektit aplikues.

Pasi aplikuesi njoftohet dhe kryen pagesën e taksës, e dorëzon pranë agjencisë vërtetimin për shlyerjen e saj. Vetëm pasi të ketë administruar këtë vërtetim, agjencia miraton lejen e legalizimit. E gjithë kjo ka sjellë jo vetëm vonesë të konsiderueshme në miratimin e lejes për shkak të kohëzgjatjes së procedurës së njoftimit dhe marrjes së informacionit ndërmjet institucioneve, por edhe pamundësi të miratimit të saj, duke qenë se barra financiare e taksës tashmë rëndon mbi vetë procedurën e legalizimit. Kjo ka shkaktuar mosinteresimin e qytetarëve për përfundimin e procesit, duke qenë se ky rregull perceptohet si një përkeqësim i pozitës së tyre.