Qeveria premton 35 mijë vende pune në 2020-n, zbulohen detajet. Ja çfarë do ndodhë për 2 vjet

Sektorët që do të kenë mbështetjen më të madhe në vitin 2020 nga qeveria janë arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura, të cilat janë të rëndësishme për të stimuluar rritjen potenciale të ekonomisë.

“Në infrastrukturën rrugore, për periudhën 2020-2022, synohet: Kompletimi i akseve rrugore nacionale si Rruga e Arbrit; Milot-Balldren dhe Orikum – Dukat.

Kompletimi i pjesës dërrmuese të segmenteve rrugore në vazhdim me Financim të Brendshëm brenda vitit 2022, si: Kardhiq – Delvinë, Elbasan – Banjë, By-Pass Shkodër, By-Pass Tepelenë, një pjesë e mirë e Unazës së Tiranës; kompletimi i segmenteve rrugore brenda 2021 me financim të huaj si: By-Pass i Fierit, By-Pass i Vlorës, Qukës – Qafë Plloçë”, tha dje ministrja e Ekonomise Anila Denaj.

Denaj tha se rritja ekonomike e parashikuar për vitin 2020 do të jetë 4.1% dhe pritet të përkthehet në më shumë punësim. Në këtë pikë, ajo shtoi se synohet që gjatë vitit të ardhshëm, të krijohen rreth 35 mijë vende të reja pune, që pritet të çojnë në uljen e mëtejshme të shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%.