Quhet Andrea dhe do na mbërthejë për 1 javë, fenomeni i çuditshëm atmosferik që po tremb Ballkanin

Quhet Andrea dhe pritet të na mbajë mbërthyer për rreth një javë.

Kështu e kanë quajtur meteorologët fenomenin atmosferik që ka goditur Ballkanin së fundmi.

Kjo ka parë një përkeqësim të kushteve atmosferike, me shira të rrëmbyer dhe erëra të forta, ku pjesë të Ballkanit Perëndimor, kanë shpallur gjendje emergjence nga përmbytjet në disa rajone.

Më kritike situata duket në veriperëndim të Bosnje-Hercegovinës, ku vërshimi i ujërave kërcënon disa fshatra. Paralajmërime janë lëshuar edhe në Serbi e Kroaci, ndërsa po shihet me kujdes situata e lumenjve të mëdhenj, duke nisur nga Danubi e Sava.

Parashikimet se stuhia “Andrea” pritet të çojë në Shkup reshje prej 50 deri 80 milimetra për metër katror detyruan Qendrën e Krizave të mblidhet në një takim urgjent të drejtuar nga Dushko Veskovski, drejtori i NP “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, ku u diskutua koordinimi i aktiviteteve dhe u caktuan detyrat mes ndërmarrjeve publike, brigadës së zjarrfikësve e shërbimeve të inspektimit.

Përpara mbërritjes së stuhisë, – thonë burime në kryeqytetin maqedonas, – po kontrollohen pusetat dhe kanalet e kullimit, ndërsa banorët janë këshilluar të mos parkojnë poshtë pemëve. Shi e stuhi parashikohen përgjatë të gjithë javës edhe në Kosovë, ku temperaturat maksimale pritet të shënojnë ulje me deri në 7 gradë, e ku mund të ketë edhe shkarkime rrufesh.

Moti i keq shkaktoi dy viktima gjatë fundjavës në Itali, në zonën e Brescias. Përkeqësimi i situatës, sipas shtypit italian i detyrohet një fronti të ftohtë, të zbritur nga Europa e Veriut, ndërsa ashpërsimi i kushteve atmosferike në disa rajone të fqinjit të përtej Adriatikut është shoqëruar me erëra të dhunshme dhe breshër.