Qytetarët me fraktura nga ngricat, këshilltari me akuza ndaj Bashkisë Shkodër

Bashkia Shkodër është përballur ditët e fundit me një situatë të rënduar nga reshjet e dëborës. Një situatë që e gjeti të papërgatitur këtë institucion, pasi ndërhyrja ishte me vonesë dhe jo ashtu siç duhet. Edhe sot, pas më shumë se një javë nga dëbora, trotuare të qytetit ndodhen nën pushtetin e dëborës.

E kjo krijon probleme në lëvizjen e qytetarëve. Për menaxhimin e dobët të situatës reagoi pasditën e sotme, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak Shkodër, edhe këshilltari Ali Tula. Në fjalën e tij, ai shprehu pakënaqësi në drejtim të Bashkisë Shkodër.

“Përsa i përket situatës së dëborës, desha të theksoj se Shkodra është pastruar vetëm në qendër dhe jo plotësisht, pasi trotuaret janë të papastruara ende. Periferia dhe pjesa më e madhe e rrugëve edhe sot janë papastruar. Deri tani janë 100 persona me fraktura të rënda si shkak i ngricave. Pastaj, nuk është pastruar akoma oborri i bashkisë, nuk ke ku kalon, pastaj vazhdojmë me rrugët e tjera. Bora duhet pastruar dhe kriposur. Doja të dija nga kryetarja sa është kapaciteti njerëzor dhe teknik i bashkië për përballimin e këtyre rasteve emergjente? Pyetja e dytë është sa kompani ka kontraktuar bashkia për të pasur në gatishmëri për pastrimin e rrugëve?” – theksoi fillimisht Tula.

Më pas, ai tha se po të kishte ndodhur një situatë e tillë në një vend tjetër, qytetarët e dëmtuar do të kërkonin dëmshpërblim nga bashkia. “Qytetarët paguajnë taksën dhe kërkojnë shërbimin, që është pastrimi i rrugëve. Nqs do kishte ndodh një vend tjetër që të dëmtoheshin 100 përsona, këto përsona do i kërkonin dëmshpërblim bashkisë, sepse është për faj të bashkisë.”

Në fakt, sipas shifrave të dhëna nga urgjenca e spitalit rajonal të Shkodrës numri i përsonave me fraktura si shkak i ngricave ka qenë rreth 200 në ditët e fundit. /ShkodraNews