Qyteti që po kthehet në epiqendrën e shpërthimit, eksperët janë pa fjalë. Jepet alarmi për spitalet

Epidemia e koronavirusit në Nju Orleans po avancon me ritme aq të shpejta sa që pritet që ky qytet të jetë epiqendra e ardhshme e sëmundjes në Shtetet e Bashkuara. Ky parashikim ka rrëzuar bindjen e mëparshme se zona më pak të populluara dhe qytete me klimë më të ngrohtë janë më rezistente ndaj sëmundjes.

John Bel Edwards, guvernatori i shtetit të Luizianës tha se nëse bëhen realitet parashikimet, spitalet në Nju Orleans do të mbushen tej kapaciteteve brenda javës së ardhshme.

Nju Orleansi është qyteti më i madh i Luizianës, shteti numër tre në Amerikë për nga përqindja e të infektuarve në shkallë popullate, pas Nju Jorkut dhe Uashingtonit.

Por aktualisht Nju Orleansi po shfaq ritmet më të shpejta në botë të përhapjes së infeksionit, duke lënë shumë specialistë të shtangur nga ky fenomen.

Disa mjekë besojnë se problemi erdhi nga Mardi Gras – karnavalet tradicionale për të cilat Nju Orleansi ka famë në botë. Karnavalet këtë vit ranë më 25 shkurt, kur virusi ishte shfaqur në Shtetet e Bashkuara por para se të shndërrohej në një problem alarmant për publikun.

Tani po shtohen shqetësimet se qytete të tjera të jugut amerikan do të bien viktimë e epidemisë së shpejti. Autoritetet po ndjekin situatën në Hjuston, qyteti i katërt më i madh amerikane dhe qendra e rafinerisë së naftës në Shtetet e Bashkuara. Shumë banorë të Nju Orleansit kanë lidhje familjare e shkëmbime të shumta me banorët e Hjustonit.

VOA