Radhë dhe kaos pa fund, ja si qeveria po zvarrit me muaj doganën e Muriqanit

Paradoksi i investimeve publike nuk ka të ndalur në Shqipëri. I radhës që po zbaton qeveria shqiptare, as më shumë dhe as më pak por në kulmin e sezonit turistik është ai i fasadës dhe ambjenteve të brendshme të doganës Muriqan. Të nisura në fund të muaji Maj, ato do të zgjasin as më shumë dhe as më pak por 3 muaj, aq sa zgjat edhe sezoni turistik, duke u kthyer kështu në shkaktare të radhave të gjata, kaosit e pritjeve pa fund për dhjetra e qindra qytetare që zgjedhin të kalojnë përmes kësaj pike kufitare në drejtim të Shqipërisë dhe anasjelltas.

Efekti ka nisur të jepet që këtë fundjave, ku ndërsa makineritë e tonazhit të lartë sillnin materialet e punës, të tjera mjete prisnin në radhë duke krijuar vargun kilometrik si në pjesën shqiptare ashtu edhe ata malazeze. Askush nuk pranon të thotë qoftë edhe një gjysëm fjale përse është zgjedhur kjo periudhë që njihet ndryshe si kulmi i sezonit për të kryer punime që fare mirë mund të kryheshin në një tjetër përiudhe të vitit, atëherë kur nuk ka ardhje apo ikje të emigranteve, si dhe nuk është përpara sezoni veror që të gjithë dynden në plazhe.

Kjo strategji ngjan jo vetëm e cuditshme, por hera herës edhe e qëllimshme, që vetë institucionet tona tentojnë të prishin sezonin, e t’ua bëjnë sa më të vështirë qytetareve cdo gjë. Pritjet në vapën përvëluese janë më shumë se problematike sidomos për emigrantët që vijnë nga Europa dhe do të shtohen në muajt në vijim edhe më shumë, pasi korriku dhe gushti njihet si periudha e pikut. E në këtë pik drejtoria e përgjithshme e doganave u bën këtë dhuratë, punime, pritje, kaos dhe mireseardhje mes llaqit e betonit.

Nuk është risi që kjo mungese vizioni i ndjek këto institucione, pasi e njëjta gjë po ndodh me Shirokën, rrugën e Velipojës që ka tejkaluar cdo afat, e cdo investim tjetër që ka një datë fillimi por asnjëherë një datë të saktë mbarimi.