Rama doli kokëulur nga Merkel

Nga Andi Bushati 

Angela Merkelit i ka ndodhur e njëjta gjë me ata që janë gënjyer gjatë nga Rama; refuzimi për ta kredituar sërish. Ky mund të ishte konkluzioni i takimit të shkurtër të mbajtur këtë të hënë në Kancelari, në Berlin. Po të lexohen me kujdes deklaratat e qeveritarëve shqiptarë, duket qartas se ata prisnin një komerdare shpëtimi të minutave të fundit nga Gjermania.

Para takimit, vetë Kryeministri duke besuar në një mrekulli “in extremis”, i deklaroi Top Channel se ai do të shprehej pasi të fliste me Merkelin. Ndërsa menjëherë pas tij, Gent Cakaj, që ishte brenda në dhomën e bisedimeve, foli për atë që shpresonte dhe jo për atë që kishte ndodhur, duke thënë se Shqipëria kishte marrë “mbështetjen absolute” të Kancelares për hapjen e negociatave.

Në fakt, e vërteta e asaj që ka ndodhur gjendet shumë më pranë informacionit që dha radioja publike gjermane Deutsche Welle. Ajo i hodhi një dush të ftohtë qeverisë shqiptare duke dhënë dy arsye se përse negociatat nuk do të hapen as këtë qershor.

Së pari, sepse Franca nuk do të dëgjojë për këtë para zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Së dyti, sepse Bundestagu gjerman nuk ka kohë të mjaftueshme për të vendosur (që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor), për çeljen e negociatave.

Pra me një fjalë furgoni i Rilindjes e humbi edhe këtë stacion. Por, ajo që nuk kuptohet është se përse qeveria shqiptare shpresoi deri në minutat e fundit siç tregojnë edhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë të saj.

E vetmja përgjigje e arsyeshme duhet kërkuar në atë që ndodhi qershorin e kaluar. Atëherë, Angela Merkel u përpoq me mish e me shpirt për të zbutur veton e prerë që Franca dhe Holanda do të artikulonin për ne. Ajo bëri ç’është e mundur që “JO” ndaj Shqipërisë (pikërisht ajo që këtu u festua si “PO” me dekarata dhe shampanjë) të ishte sa më e moderuar dhe jo turpëruese.

E kështu u gjet formula që edhe negociatat nuk hapeshin edhe qeveria shqiptare shpëtonte fytyrën duke thënë se kishte marrë një datë për fillimin e tyre. Por, që nga ajo kohë ka ndodhur një zhvillim i rëndësishëm. Në prill të 2018, para një takimi në Kancelari me Ramën, nga diplomatët gjermanë Edi Ramës iu kërkua dënimi i idesë së ndryshimit të kufijve në këmbim të mbështetjes së përparimit europian të vendit.

Rama e pranoi sfidën. Ai hyri në Kancelari dhe i foli sy më sy Merkelit se nuk e mbështeste aventurën e dy Presidentëve, serb dhe kosovar. Kjo gënjeshtër, nuk është se kaloi pa rezultat imediat. Kryeministri shqiptar mori në Berlin premtimin se Gjermania do të angazhohej për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe se ajo nuk do të lejonte në asnjë mënyrë lënien e Tiranës pas Shkupit në këtë proces.

Por, pas përpjekjes gjermane në qershorin e shkuar, në gusht, Thaçi dhe Vuçiçi e shpallën publikisht idenë e tyre duke marë edhe miratimin e John Boltonit. Në fillim me hezitim dhe pastaj gjithnjë e më hapur Rama e mbështeti këtë ide. Ai arriti deri aty së të thoshte në mediat vendase se “Merkel sheh interesat e vendit të saj, kurse unë jam kryeministri i Shqipërisë”.

Ky qe me sa duket edhe fundi i historisë së dashurisë mes tyre, që në fillim, nga mediat e pushtetit në Tiranë, u paraqit si një raport tejet e privilegjuar. Pas kësaj ‘tradhtie’ Kancelarja nuk mund të bënte asgjë për ta ndihmuar të preferuarin e saj që dikur e shkrinte gazit me barcaletat e kohës së komunizmit.

Prandaj, në takimin e kësaj të hëne ajo nuk dha asnjë sinjal nga ato që qeveritarët shqiptarë shpresonin të dëgjonin. Ajo nuk kishte më as arsye personale, as për t’iu kundërvënë aleatëve të saj që nuk e duan zgjerimin, as për të ndihmuar një Kryeministër që e ka të turbullt situatën edhe brenda vendit. Këtë qershor Merkel nuk do të ketë më angazhimin e një viti më parë, kjo ndoshta edhe falë zhgënjimit nga Rama.

Lexo edhe: