Rama ju sjell shkodranëve Prefektin e ri që do ta propozojë për “dhëndërr” të qytetit!

Një lëvizje strategjike e Edi Ramës, i mbetur keq në momentet e fundit por që natyrshëm do t’i dështojë si shumë të tilla, kur bëhen me sforco e në minutat shtesë. Valdrin Pjetri, i emëruar prefekt i ri i Shkodres, nuk vjen thjesht për këtë karrige por për diçka më shumë.

Burime nga partia socialiste, thonë se me gjasa ai do të jetë kandidat për bashkinë e Shkodres, për garën e 30 qershorit. Duke qënë i lindur në Shkoder, edhe pse i shkëputur prej vitesh me këtë qytet, ai është emri i vetëm që siç duket ja ka pranuar këtë sfidë kryeministrit, duke qënë se Astrit Beci ka bërë disa refuzime, ndërsa Senida Mesi në sondazhe pati rezultate zhgënjyese, sikur të ishte një anetare e thjeshtë partie, e jo deputete dhe ish zv/kryeministri.

Pjetri në Tiranë njihet për lidhjet e tij dhe pozicionin strikt që ka mbajtur në të gjitha detyrat që i janë besuar, e duket se ky ka qënë edhe motivi që ju besua fillimisht pozicioni i prefektit, për ta kapërcyer më pas si kandidat, duke tentuar që në këtë periudhë të shkurtër të mund të promovohet, e të mos vinte si emer surprize për metropolin verior. Por se sa do t’ia dalë me këtë strategji qeveria dhe vetë kryeministri, gjasat janë të pakta.

Së pari Pjetri ka shumë pak lidhje me socialistët e Shkodres dhe për shkak të shkëputjes së hershme me Shkodren, edhe njohjen me këtë qytet e ka të pakët. Megjithatë një sfidë e tillë, mbetet për tu parë se si do të ecë deri në fund dhe sa do të pranohet së pari nga të vetët e më pas nga populli i Shkodres, që emrin e tij e ka dëgjuar vetëm në media përgjatë 1 viti që mbajti detyrën e drejtorit të përgjithshëm të hipotekave.

Kriza e emrave për partinë socialiste nuk është dicka e re, pasi sa herë ka zgjedhje, përballet me këtë vështirësi, ku edhe ato emra që kanë më shumë potencial, refuzojnë të marrin një sfidë të tillë duke ditur problematikat e brendshme, por edhe votën që në këto 29 vite Shkodra ka patur në mbështetje të demokratëve. Si një bashki që nuk e kanë fituar asnjëherë, edhe për këto zgjedhje duket se ajo më shumë gjasa do të mbetet një mollë e ndaluar për partinë socialiste, që ende nuk e ka gjetur veten./ShkodraNews