Rama mbylli gjithë fundjavën, sa raste të reja me Còvid 19 janë zbuluar në 24 orët e fundit

8 raste të reja me Covid 19 janë zbuluar në 24 orët e fundit në vendin tonë, nga 200 testime që janë kryer gjithsej. Rastet e reja janë zbuluar në Tiranë, Durrës dhe Krujë, ndërsa numri i personave të shtruar ka shkuar në 16, një më pak se dje.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë: 8 raste të reja, shkon në 989 numri i të prekurve. Për më shumë se 3 javë nuk kemi humbje jete. 79% e të prekurve tashmë janë të shëruar. Ju paraqesim situatën epidemiologjike të Covid19 në Shqipëri, në 24 orët e fundit.

Duke analizuar të dhënat epidemiologjike, numrin e rasteve të reja në 24 orët e fundit, numrin e vdekjeve dhe numrin e personave të hospitalizuar, mund të themi se situata epidemiologjike e Covid19 në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme.

Aktualisht në shërbimin infektiv janë 16 pacientë të shtruar dhe vetëm 5 prej tyre në terapi intensive. Fatmirësisht gjatë 3 javëve të fundit nuk kemi asnjë humbje jetë nga Covid19 dhe ky është një indikator që tregon qëndrueshmërinë e këtij shpërthimi epidemik.

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 200 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar pozitivë 8 raste. Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 5 raste në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Krujë, kontakte të rasteve të mëparshme pozitive. Të shëruar janë 6 qytetarë.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike. Deri më sot janë konfirmuar pozitivë  989 qytetarë me COVID-19. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar. Në vendin tonë aktualisht janë 175 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar masat e vendosura. Nëse keni shenja të Covid19 telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.