Rama mohoi paturpësisht ndërhyrjen në Berlin, Haradinaj: Shqiptarëve ua kam borxh të vërtetën, kam deshmitarë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha dje se nuk ka ndërhyrë kurrë në debatin Kosovë-Serbi në Samitin e Berlinit.

Në një mbledhje qeverie që zhvilloi paraditen e kësaj të mërkure, Haradinaj tha sot se shqiptarët, të majtë e të djathtë për të janë vëllezër dhe duhet të dinë të vërtetën.

Kryeministri i Kosovës, është shprehur se i palëkundur në qëndrimin e tij, dhe thotë se do të flasë për të vërtetën edhe kur ajo nuk i pëlqen dikujt.

Haradinaj sfidon Ramën dhe thotë se ka dëshmitarë nga ajo që ndodhi në Berlin.

Haradinaj: Për mua shqiptarët edhe të majtë edhe të djathtë janë vëllezërit e mi, ua kam borxh të vërtetën. Atë që ka thënë At Zef Pllumi “Rrno për me tregu”. Do ta tregoj të vërtetën edhe kur i pëlqen edhe kur nuk i pëlqen dikujt. Kam obligim ndaj qytetarëve për një transparencë të asaj që po ndodh. Shyqyr që aty është dikush me tregu të vërtetën.

Më 30 prill 2019, Kryeministri Ramush Haradinaj, në një intervistë për televizionin T7, tha se si presidenti Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kanë bërë presion më shumë se Vuçiqi në sy të të gjithëve në Berlin për ta hequr taksën. Ai tha se ata madje kanë folur në gjuhën angleze dhe gjuhë tjera me qëllim që deklarata të kuptohej nga Merkel dhe Macron.

Këtyre akuzave, iu përgjigj dje Rama, që në shkrim të gjatë në faqen e tij në rrjetet sociale, tha se ai vetëm në dy raste i ka bërë një sugjerim që të pranonte kërkesën e Holandës dhe Francës. Rama tha se Haradinajt nuk i kanë kërkuar që të heqë taksën, por të kishte një pezullim të përkohshëm 4 apo 6 muaj.