Rama nuk e mendon dorëheqjen, ka prioritet dyfishimin e grave për vendimmarrje në PS

Kryeministri ka nxjerrë në plan të parë reformën brenda socialistëve, duke dhënë sinjalin se dështimi i hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE nuk është problem i qeverisë që ai drejton, por i Francës dhe marrëdhënieve të saj me vendet anëtare. Rama refuzon të ndjekë shembullin e homologut maqedonas Zaev, dhe paralajmëron PD-LSI se do miratojë deri në dhjetor Reformën Zgjedhore, dhe pa opozitën jashtëparlamentare

Kreu i mazhorancës Edi Rama nuk ka zhgënjyer asnjë shqiptar në lidhje me qëndrimin e tij pas refuzimit të Francës, Holandës dhe Danimarkës për të dhënë votën “pro” hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE.

Nëse ndokush ka pasur ndonjë dilemë dhe shpresonte se Rama do të imitonte qoftë dhe në masën 50 përqind homologun e tij maqedonas Zoran Zaev në të njejtën situatë dhe do kërkonte zgjedhje të parakohshme, tashmë e ka marrë përgjigjen e qartë nga kreu i qeverisë shqiptare.

Teksa ka mbledhur kryesinë dhe grupin parlamentar të PS, kreu i mazhorancës ka diskutuar për zgjedhjet e reja në PS dhe për përfshirjen e grave në vendimmarrje në të gjithë elementët drejtues të kësaj partie. Në fund ka folur dhe për negociatat dhe dështimin në Bruksel.

Në daljen e tij para mediave, teksa ka folur fillimisht për procesin organizativ që PS-në e pret në ditët e ardhshme, Rama ka dhënë sinjalin se problemin e dështimit të hapjes së negociatave me BE nuk e cilëson si problem të tij dhe as të mazhorancës që drejton, por të Francës dhe vetë BE.

“Kemi dakordësuar qëndrimin mbi kërkesën e deputeteve e grave të kryesisë që të nisim procesin e përfshirjes së grave dhe vajzave si bashkëkryetare të organizatave socialiste. Kjo përbën një risi në kushtet kur ne jemi partia më e votuar nga gratë e vajzat në Shqipëri.

Nga ana tjetër unë mbroj bindjen se kur duhet bërë muhabet, bëhet me burrat, kur duhet bërë punë bëhet me gratë”, ka deklaruar Rama, teksa ka nxjerrë në plan të parë gruan në PS.

Ndërkohë, pyetjes së gazetarëve në lidhje me dështimin e hapjes së negociatave dhe dorëheqjes nga posti i kryeministrit, nën shembullin e kryeministrit maqedonas Zora Zaev, Rama i është përgjigjur sërish me shprehjen se “dielli lindi përsëri”, duke refuzuar të largohet.

Kryeministri ka akuzuar opozitën se ka bërë gjithçka në Gjermani për të dështuar procesin e negociatave, pa ia arritur qëllimit, ndërkohë që refuzimi i disa vendeve me në krye Francën kishin ardhur për shkak të përplasjeve të brendshme në gjirin e BE, për reformimin e saj.

Teksa ka refuzuar dorëheqjen, Rama ka kujtuar se ai në të gjithë artikulimin e tij nuk ka shprehur garanci siç ka bërë Zaev për hapjen e negociatave, por ka nënvizuar faktin se janë realizuar të gjitha detyrat e shtëpisë, ndërsa vendimi ishte në dorë të vendeve anëtare.

Me këtë kalkulim, kryeministri ka bërë të qartë se s’ka ndërmend të mbajë përgjegjësi e të japë dorëheqjen, por do të merret me reformimin e PS dhe rritjes së rolit të gruas në vendimmarrje, si dhe do të ketë në serë takimesh jashtë vendit për negociatat.

Rama, duke ka deklaruar se do të ketë takime me Presidentin Macron dhe një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve skeptike të zgjerimit të BE, ka këmbëngulur se do të punohet fort për reformat dhe kushtet e vëna nga Gjermania, mes të cilave Gjykata Kushtetuese dhe Reforma Zgjedhore.

“Në aspektin praktik ne jemi të qartë duhet të vazhdojmë çdo ditë punën se edhe nëse do kishim marrë një “po” të shumëpritur të merituar, detyrat janë po ato, të ecim para me Reformën Zgjedhore. Brenda vitit ta miratojmë në Parlament sipas rekomandimeve te OSBE ODIHR, të presim për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me radhë pikat e përcaktuara nga Bundestagu që janë të rëndësishme për ne e jo të nevojshme për Gjermaninë.

Reformën Zgjedhore do ta bëjmë me të gjithë ata që duan të marrin pjesë në proces dhe do ta votojmë në Parlament. Dhe në Parlament, në dijeninë time, ka një opozitë të përfshirë, ku ka dhe një karrige bosh për miqtë tanë jashtë parlamentarë. Por ne nuk mund të presin pafund, por brenda këtij viti do të miratojmë Reformën Zgjedhore”, ka deklaruar prerë Rama.

Përmes këtyre mesazheve, sa të koduara dhe sa të drejtëpërdrejta, kreu i qeverisë shqiptare ka bërë të qartë se as që e çon në mendje dorëheqjen nga posti, dhe për më tepër që do të miratojë Reformën Zgjedhore, me pjesëmarrjen ose jo të PD e LSI./Pamfleti