Rama prezanton projekt për aeroport në Vlorë, portin e ka në gjendje mizerabël

Në Vlorë kryeministri Edi Rama mbajti shfaqjen e radhës duke prezantuar projektin përfundimtar të Aeroportit të Vlorës. Ai sigurisht që e la ministren Balluku të fliste ca fjalë, së bashku me kryetarin e Bashkisë, Dritan Leli që është kthyer në një nga dështimet më të mëdha të vet Ramës e të Vlorës si qytet. Më pas të gjithë skenën kryeministri e mbajti për vete siç e ka zakon dhe u përpoq të ishte interesant me vlonjatët, por në fakt veçse i stigmatizoi qytetarët e qytetit jugor.

Në fakt, aeroporti i Vlorës është shndërruar në një kalvar të gjatë zvarritjesh dhe është minimalisht 2 vjet me vonesë nga çfarë u premtua nga qeveria kur e solli këtë projekt për herë të parë në vëmendjen qytetare. “Do e hapim në pranverë të 2020. Unë e di që për ju vlonjtatët pranvera fillon në tetor, por me durim, sepse këtë herë kjo ëndërr nuk është më e tillë, por do kthehet realitet” – u rrek Rama të lëshonte batuta drejt vlonjatëve, por në fakt thjesht sa I ofendoi. E kuptueshme për një njeri që e ka humbur lidhjen me realitetin dhe superioriteti i paramenduar i përkthehet në arrogancë të pajustifikuar.

Urojmë që Aeroporti i Vlorës të bëhet, sepse do t’i jepte një dorë të mirë biznesit të zonës dhe Vlorën do ta kthente ngadalë në një pikë ekonomike nevralgjike, por nuk duhet harruar se Vlora është qytet bregdetar dhe si e tillë duhej të kishte një port të denjë e më pastaj një aeroport. Po çfarë i duhet Ramës kjo gjë? Për aq kohë sa nuk i shërben propagandës së momentumit politik dhe interesave të tij financiare të tij të përkthyera në konçesione pafund, ai nuk do flasë për një port në Vlorë.

Porti i Vlorës është në kushte mjerane për një qytet që synon standardet evropiane në turizëm. Ka aq vite sa nuk mbahet mend, që porti i Vlorës nuk merr fonde të konsiderueshme për investime. Porti është kthyer vetëm në një stacion tragetesh që marrin e sjellin pasagjerë, por vetëm kaq. Kushtet teknike të portit janë përtokë, në raste kohe të keqe, tragetet dëmtohen pasi bankinat nuk janë të sigurta.

Ka ekzistuar në fakt një projekt-ide për portin e Vlorës nga qeveria Rama në bashkëpunim me turqit për ta kthyer portin e Vlorës në më të madhin në Ballkan, por kjo ka ngelur thjesht një ëndërr siç është deri tani edhe aeroporti. Mesa duket as memoriali që u vendos te Liqeni Artificial i Tiranës për ata që humbën jetën nga puçi dështuar ndaj Erdoganit në vitin 2016, nuk i ka dhënë ndonjë benefit të madh Ramës për investimet strategjike.

Kujtojmë që turqit e babait shpirtëror të Ramës, Erdoganit, e lanë në baltë qeverinë me anullimin e tenderit fillestar për aeroportin e Vlorës. Në prill të 2019 procedurat për dhënien me koncesion të Aeroportit të Vlorës nisën nga e para. Ministria e Infrastrukturës konfirmon se afati i ligjit, që autorizonte qeverinë për negociimin e marrëveshjes me konsorciumin turk prej 3 kompanish që kishte paraqitur ofertë konkrete, ka përfunduar dhe nuk ka firmosje kontrate, ndërkohë që njëkohësisht po përgatitet një garë ndërkombëtare për këtë koncesion.

Rama Vlorën e ka parë gjithmonë si minierë votash të sigurt, por me një Lungomare të zvarritur, taksa të rritura ndaj bizneseve të turizmit, shembje të bizneseve të ligjshme, një bulevardi të rregulluar, por me trafik të rënduar, me batuta që nuk po I ecin më, vështirë se Partia Socialiste do të përsërisë në Vlorë rezultatin electoral të vitit 2017. Siç thonë vlonjatët, kryeministri e ka bërë veten në Vlorë, “për të marrë kum te bovat”. /Pamfleti