Rama reagon sërish pasi u lye me bojë nga Paloka, befason nga Facebook-u

Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama u lye me bojë nga deputeti Edi Paloka.

Menjëherë kryeministri u shndërrua në një personazh meme-sh në rrjetet sociale, mirëpo duket se e keqja nuk i paska kaluar.

Në një video live në Facebook, Rama e ka quajtur Palokën “palobudalla”.

“Janë 2 parti që e kanë kthyer me vetëdije budallallëkun. Kjo është e komplikuar. Ky i sotmi është një lloj i veçantë budallai, palobudalla në kuptimin e plotë të fjalës. Sot ishte dita kur gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i kishin sytë te ne. Në mes të zisë kombëtare në vendin fqinj, do të votohej këtu për anëtarësimin në NATO pas një marrëveshje historike. Por për turpin më të madh kjo u bë dita e budallait shembullor.

Sot ishte dita e Arben Xhaferrit dhe gjithë atyre që luftuan me pasion të madh për flamurin, historinë dhe të drejtat e shqiptarëve duke përballuar persekutime reale. Por fatkeqësisht kjo u bë dita e budallallëkut universal kur ofenduan kryetarin shqiptar të Maqedonisë së Veriut duke shkelur çdo normë.

U bë dita e gjuhës së dhunshme, e atyre që parlamentin e Shqipërisë e kanë kthyer në arenë ku një katran me bojë vuri shkelmin. Asnjë armik i kombit tonë nuk do ta katranoste këtë ditë siç e bënë këta. Ata e kanë me ju. Unë jam pengesa mes tyre dhe jush. Durimi më kalitet, vendosmëria me rritet. Këta janë të zhurmshëm. Këta janë një pakicë që shumicë dot nuk bëhen.

Qoftë edhe në pakicë budallalliku do mbetet i rezikshëm. Ja pse nuk është punë grushtash, është luftë e thellë me mavrinjtë me bojë kundër shqipërisë sonë që duhet të rrojë e të bëhet zonjë”, tha Rama.