Rama tallet me veteranët; 20 ditë para 75-vjetorit të Çlirimit, u heq Qemal Stafën nga stadiumi; ua lë varur karton në bulevard

Sa për kujtesë të “Partizanit të vogël Braçe”, ndeshja e parë në stadimin pa emrin e heroit, do të luhet në datën 17 nëntor, ditën çlirimit të Tiranës/ Në çdo fushatë, PS kërkon votat e 650 mijë veteranëve, familjeve të dëshmorëve e pensionistëve që nderojnë luftën, por emrin e Qemal Stafës e shiti për 650 mijë euro me PPP; ndërsa 1 vit më pare, 3 ditë para çlirimit të Tiranës dhe 15 ditë para 29 nëntorit, kryesocialisti Edi Rama, në emër të qeverisë e PS-së; nderoi Ish-Kryetarin e Ballit Kombëtar, Mit’had Frashëri, me bust, kurora lulesh, dekoratë e fjalim lavdie atdhetarizmi

Mes palëve politike, socialistë, ballistë e zogistë, kundërshtarë ideologjikë (jo ekonomikë), ka nisur e po vazhdon ashpër nëpër ekrane; debati, se përse qeveria dhe Bashkia e Tiranës, në kuadër të 75-vjetorit të çlirimit, ka varur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, portretet prej kartoni të disa heronjve të luftës.

Për ballistët dhe legalistët, heronjtë quhen “kriminelë”, ndërsa zv/kryeministri Braçe dhe socialistët, i quajnë “idealistë që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë, prandaj duhen nderuar..

Mirëpo, kryesocialisti Edi Rama, ua ka shfryrë e hedhur në plehra; gjithë tollumbacet e propagandës dhe hipokrizisë me heronjtë e luftës, që po bën kupola e pasardhësve të PPSH (PS); duke ulëritur në “FB” për “ushtarët”, por “harrojnë” komandantin e tyre..

Sipas lajmit të bërë publik, stadiumi i ri “Qendra Kuq e Zi”, ka gjetur blerësin e emrit dhe do të quhet “Air Albania Stadium”; ndoshta edhe si përputhje, se tarraca e kullës “Rama”, ndërtuar brenda stadiumit, është planifikuar për pistë helikopteri.

Sipas vendimit të dy ortakëve “FSHF-Qeveri”; pas orës 10.00, të ditës së hënë, datë 11 nëntor 2019, ose 18 ditë para 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut, “Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa” nuk do ta ketë më emrin e heroit, simbol të luftës e 5 Majit të Dëshmorëve.

Qeveria “Rama”, si bashkë-ortake e stadiumit me 25%, ose më saktë “dora vetë” kryeministri naltmadhnia Edi Rama (sepse ai vendos); ka propozuar prej kohësh e sot ka firmosur; që emri Qemal Stafa; të hiqet e konvertohet me 650 mijë euro në vit.

Mirëpo kanë reaguar 650 mijë veteranët, familjarët e dëshmorëve dhe pensionistët nderues të luftës; të cilët, Rama e Braçe i përdorin vetëm për vota të Pushtet-PPP-ve të tyre.

Ditën e hënë, emri Heroit të Popullit, Qemal Stafa, do të zhduket nga fasada e Stadiumit, por deri ditën e 75-vjetorit të çlirimit, më 29 nëntor 2019; portreti i tij, do të qëndrojë i varur karton, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, që nëse Edi Ramës; nuk ia thotë mendja e ndritur, mund t’ia heq edhe këtë emërtesë e ta quaj: “Bulevardi Rilindja”, ose “Shëtitorja Fusha, Vilma, Linda, Sandri, Braçe, Cakaj e Baton…

Sa për kujtesë të veteranëve të luftës e sidomos të “Partizanit të vogël Braçe”, që (bën sikur) nderon luftën; takimi i parë në stadiumin pa emrin e heroit Qemal Stafa por emrin e kompanisë “PPP-Erdogan”, do të luhet në datën 17 nëntor, ditën e festës së çlirimit të Tiranës./Pamfleti