Rama u jep oligarkëve pronat në bregdet, 754 ish-pronarë do kompensohen në malet e Pukës dhe Oroshit

Para disa ditësh, kryeministri Edi Rama, firmosi një VKM, sipas të cilës, gjithë tokat në bregdet, do t’u jepen me koncesion për 99 vite, ose do t’u shiten, zaptuesve dhe përdoruesve që i kanë marrë ato me qira, paçka se janë pasuri të ish-pronarëve, të seksuestruara pas vitit 1945, të njohura pas vitit 1992.

Por Edi Rama, që u premtoi në 8 vite opozitë, i mashtori në 6 vite pushtet dhe së fundi, po u grabit pronat, jo për zhvillimin e zonave siç thotë, por për pasurimin e tij, të oligarkëve që e kanë marrë peng, të klaneve, politikanëve e klientëve të tij, që paguajnë miliona nën dorë.

Qeveria “Rilindja”, anuloi vendimin për kthimin dhe kompesimin fizik të pronarëve, me prona në zonat e tyre, duke bërë ligj, kompensimin fizik jo në bregdetin Vlorë, Sarandë, Durrës, Fier, Lushnjë, Kavajë, Lezhë, Velipojë e Shkodër, kanë tokat e trojet, por në zona të tjera të Shqipërisë, shumë larg prej vendbanimeve.

Sipas vendimit të miratuar ilegalisht në datën 5 dhjetor 2014, anuluar e ndryshuar në qershor 2017 dhe bërë ligj në datën 26 prill 2019, qeveria “Rilindja”, me propozim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) dhe Ministrit të Bujqësisë, ka vendosur që ish-pronarët e Vlorës, Fierit, Sarandës e Durrësit etj., të cilëve u janë zënë pronat nga ndërtimet e paligjshme, nga ndërtesa shtetërore dhe projekte urbane në bregdet, t’u jepet tokë tjetër, në formë kompensimi fizik, në fshatrat që gjenden në zonat malore.

Këtyre 754 ish-pronarëve, u është njohur toka si pronë, por nuk u kthehet, mbasi janë të zëna nga shteti, ose të zaptuara nga oligarkët, të cilët i kanë marë me qira “1 euro/m2” e me dhunë, ose janë zaptuar nga të fortët e qyteteve, shtetarë e politikanë të lartë, të cilët kanë ndërtuar biznese në bregdet!

Përballë kësaj masakre e këtij mashtrimi, falsifikimi dhe zaptimi 28-vjeçar, që u është bërë pronave, me vendime gjykate të paguara dhe me Ligjin 7501, ato po trajtohen, me kompensime financiare e fizike, kur ka lekë e kur gjendet ndonjë copë tokë e lirë, në ndonjë zonë të braktisur.

Tabela e kompensimit fizik të ish-pronarëve, përgatitur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) e miratuar nga qeveria “Rilindja”, përbëjnë listën e parë emërore të pronave të lira e në projekt zhvillimi me oligarkë, të cilët, do të kompensohen në male.

Sipas vendimit të qeverisë “Rama” dhe tabelës kompensuese të pronave të lira, të përcaktuara nga qeveria, ish-pronarët me toka brenda vijës bregdetare dhe qyteteve Sarandë, Vlorë, Fier, Tiranë, Lushnje, Shkodër, Gjirokastër, Korçë, Durrës, Lezhë, Pogradec etj, duhet të shkojnë të marrin tokat që u janë caktuar në fshatrat në Dymberas, Turbull, Kaçivel e Kaçivat të Elbasanit.

Ose, duhet të shkojnë të marrin toka në Buz, Selckë e Matohasanaj të Tepelenës, në Sevran, Faqekuq e Zabërzan të Skraparit, në Sheper të Gjirokastrës, në Gabricë të Kukësit, në Osmëzezë e Zhapokikë të Beratit, në Bubës e Kajcë të Përmetit dhe deri në Kurbnesh e Orosh të Mirditës./Pamfleti