Raporti i fundit për sistemin bankar/ Si u pozicionua Shqipëria në raport me vende e rajonit?

Sipas raportit të fundit për 100 bankat më të mëdha në rajon, të publikuar nga See News, një njësi e inteligjencës për Europën Juglindore me zyra qendrore në Bullgari, sistemi bankar në Shqipëri ishte më fitimprurësi në Evropën Juglindore, duke përfituar më shumë të ardhura neto nga interesi në raport me aktivet e tij. Treguesi i marzhit neto të interesave që mat raportin mes të ardhurave neto nga interesat dhe aseteve, ishte 7.6% për Shqipërinë, duke qenë mbi dyfishin e mesatares prej 3.4% të Europës Juglindore.

Pesë banka që veprojnë në Shqipëri u renditën ndër 100 më të mëdhatë sipas aktiveve në Europën Juglindore, në renditjen e 100 bankave më të mëdha në Europën Juglindore.

Banka Kombëtare Tregtare renditet në vendin e 33, nga i 27 që ishte vitin e kaluar, me një total asetesh prej 3.5 miliardë eurosh dhe fitime prej 60.2 milionë eurosh.

Raiffeisen Bank është e 42-a në Europën Juglindore, sipas madhësisë, me një total asetesh prej 1.8 miliardë eurosh dhe fitimesh prej 51.3 milionë euro në vitin 2018. Raiffeisen renditet e gjashta ndër 10 bankat me kthyeshmërinë më të lartë nga kapitali (ROE) në Europën Juglindore, me treguesin ROE prej 22.7% dhe e dhjeta për kthyeshmërinë nga aktivet (ROA), prej 2.81%.

Nga bankat që operojnë në Shqipëri, listën e vijon Credins (në vend të 47), me asete 1.6 miliardë euro dhe fitime prej 9.7 milionë eurosh.

Intesa Sanpaolo Bank Albania Sh.a. ishte në vend të 55, me me asete 1.4 miliardë euro dhe fitime prej 6.8 milionë eurosh.

Renditjen e vijojnë Alpha Bank (89), Banka Amerikane e Shqipërisë (90) dhe Tirana bank (91).

Penetrimi i huasë bankare, i matur si raport i huave bankare dhënë në sektorin privat në raport me prodhimin e brendshëm bruto, është më i ulëti në rajon në Shqipëri, me 33% të PBB-së.

Ndërsa huatë me probleme janë më të lartat në Shqipëri, mbi 10% të totalit, të ndjekura nga Bosnja me 9% dhe midis 5 dhe 7% në Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Malin e Zi.

Nga vendet e marra në konsideratë, Shqipëria shënoi dhe rritjen më të ulët neto të kredisë për ekonominë, me vetëm 2%, ndërsa në Serbi, zgjerimi ishte mbi 12%.

Raporti thekson se në 2018-n, sistemi bankar shqiptar vijoi të karakterizohej nga nivele të larta likuiditeti dhe mjaftueshmërie të kapitalit, ndërsa bilancet e bankave vijuan të përmirësohen. Por, raporti shton se në 2019-n, sektori bankar shqiptar përballet me sfida si niveli ende i lartë i kredive me probleme, që mund të përkeqësojë më tej përfitueshmërinë e bankave dhe rritjen e aseteve si dhe ngadalësimi i ekonomisë së eurozonës në përgjithësi dhe shqetësimet financiare të Italisë në veçanti.