Rikthehet Kokëdhima, serish akuza të forta ndaj Ramës por këtë herë jo për politikën



Është rikthyer Koço Kokëdhima. Këtë herë jo si kryetar partie apo politikan por si Presidenti i Apolonisë.



Ai komentuar bojkotin e kampionatit nga klubet e Kategorisë Superiore, teksa deklaroi se mbledhja e fundit nuk ishte iniciuar nga FSHF, por nga drejtuesit e klubeve të Ligës Profesioniste.



“Nuk është e vërtetë që atë mbledhje të përfaqësuesve të klubeve të Ligës Profesioniste e ka inicuar FSHF. Nuk na ka mbledhur FSHF por ne e kemi ftuar të jetë prezente siç kemi ftuar edhe qeverinë. Kërkesat i kemi hartuar në Tiranë dhe jo në Minsk dhe vendimi për bojkotin është marrë në datën 5 gusht. Në Minsk ishte një takim i natyrshëm që të diskutonim ecurinë e këtij aksioni që është vendosur javë të shkuara”, – tha Kokëdhima i fuar në studion e emisionit “Procesi Sportiv”.

“Ne nuk kemi vendosur që të shtyjmë fillimin e kampionatit një javë, por ne faktikisht kemi vendosur që nuk do të përfshihemi në kampionatin e superiores gjatë këtij sezoni. Nuk do ta fillojmë fare, kjo është një vuajtje e pafundme. Kjo është një histori mashtrimesh të pafundme. Kjo histori do të marrë fund një ditë. Palët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, të gjitha palët. Kemi vendosur që të dalim edhe në rrugë dhe do dalim t’i nxjerrim gjithë futbollistët me uniforma t’i bëjnë ndeshjet përpara kryeministrisë, do t’i bëjmë lajm botëror. Do t’i tregojmë tërë dynjasë të vërtetat e këtij pushteti që nuk dëgjon, që ndihet pronar, këta e kujtojnë buxhetin pronë të tyre personale. Shqipërinë e kanë pronë personale”, – deklaroi ndër të tjera Presidenti i Apolonisë.