Një imam, një kasap, një mekanik… a janë vetëm këta grabitësit e Rinasit?

Ngjarja e Rinasit mbetet me dritëhije.

9 prilli 2019. Ora 14.57. Në pistën e Aeroportit të vetëm të shqiptarëve u përsërit e njëjta ngjarje e gati dy viteve më parë dhe që do të linte sërish gojëhapur shumëkënd. Me një përpikëri kirurgjikale një grup grabitësish thyen derën e emergjencës për zjarrfikëset dhe hynë në pistë me një furgon me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Nën kërcënimin e armëve dhe në më pak se 300 sekonda morën disa thasë me valutë që po ngarkoheshin në avionin e Austrian Airlines dhe u larguan. Shuma e saktë e parave të grabitura nuk dihet ende dhe ndoshta nuk ka për tu mësuar ndonjëherë. Në largim e sipër përplasen me armë me policinë duke lënë një viktimë.

Mëngjesin e një dite më pas do të mësohej se viktima ishte Admir Murataj, një emër i njohur për drejtësinë. Ai ishte në kërkim prej 2 vitesh për një tjetër grabitje të ngjashme në rrugën që të çonte në aeroport ndërsa më herët kishte mundur të arratisej nga burgjet greke. Menjëherë nisën aludimet për bashkëpunëtorët e tij.

Më poshtë vijnë të renditura disa fakte siç i kemi mësuar hap pas hapi. 4 të arrestuarit e parë ishin Alkond Bengasi, Oltian Veseli, Renaldo Sula dhe Saimir Çela. I pari prej emrave, Alkond Bengasi është një 34-vjeçar nga Elbasani. Sipas hetuesve ai ka punuar për modifikimin e furgonit me logon “Hetimi Tatimor” në servisin e kushërinjve të tij me mbiemrin Çala.

Bengasi ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka marrë statusin e “dëshmitarit të mbrojtur”. Personi i dytë i vënë në pranga është Oltian Veseli, një 38 vjeç nga Kruja. Me një të shkuar në vende të Lindjes si i përfshirë në konfliktet atje ai ishte vetëshpallur imam në vendlindje. Sipas hetuesve dyshohet se ka marrë pjesë aktive në grabitje, por roli është i paqartë.

Renaldo Sula dhe Saimir Çela të dy nga Elbasani dyshohen si bashkëpunëtorë i bandës, por jo aktivë në ditën e grabitjes. I fundit i arrestuar është Elton Pikli i cili u ndalua duke u larguar drejt Bullgarisë. 32-vjeçari nga Kruja është me profesion kasap. Sërish sipas atyre që thuhen në media dyshohet se ka pasur rol aktiv në grabitje dhe se ka hyrë me armë në pistë së bashku me Admir Muratajn dhe Oltian Veselin.

Nëse u hedh një sy personave të arrestuar deri tani nuk duket se janë këta ideatorët e grabitjes. Një kasap, një mekanik, një imam… nuk besohet se kanë pasur burime të besueshme për të marrë informata të sakta mbi qarkullimin e parave, momentin e lëvizjes së tyre, lëvizjet e policisë, transfertat jashtë vendit.

Duket se “truri” i grabitjes ka pasur kohë të gjejë një vend të sigurt së bashku me paratë. Por cilët janë personat në kërkim? Emri i parë i dyshuar është Klement Çala. 30-vjeçari është arratisur nga burgu grek i Trikallës bashkë me Admir Muratajn. Çala vazhdon të jetë në arrati prej vitit 2013 edhe pse kërkohet në dy shtete. U arrestua në 2015-ën në Vlorë së bashku me Alkond Bengasin me armë pa leje, por ia doli t’ia hedhë drejtësisë me 5 vite dënim në shërbim prove.

E paqartë mbetet se si policia nuk ia referoi gjykatës urdhrin e kërkimit ndërkombëtar nga Greqia. Në kërkim është edhe Eldi Çala, vëllai i Klementit. Burimet nga grupi i hetuesve thonë se dyshohet se ka ndihmuar me gjetjen e mjeteve, makinave, armëve, etj. Ai kishte marrë me qira servisin ku është bërë modifikimi i furgonit.

Një tjetër emër i shpallur në kërkim është edhe Talo Çela nga Elbasani. Ai dyshohet se është një tjetër pjesëmarrës direkt në grabitje, personi i fotografuar përkrah Admir Muratajt në pistën e Rinasit. Një tjetër emër që është përmendur së fundmi nga mediat, por ende i pakonfirmuar nga grupi i hetuesve është Marenglen Hoxha, një ish-punonjës policie. Ai dyshohet se ka vëzhguar lëvizjet e blindave të ngarkuar me para.

Në kërkim është edhe Aleks Pepa që dyshohet se ka pasur rol në organizimin e grabitjes, por nuk është e qartë nëse ka qenë në pistë. Burimet e lapsi.al thonë se në kërkim është edhe një femër. Ajo është parë të djegë një makinë të ngjashme me atë që përdorën grabitësit në zonën e Bathores duke shpërqendruar policinë.

Dhe duket se ia doli pasi grabitësit kaluan natën në tunelet e fshatit Dritas në krahun tjetër duke planifikuar më së miri edhe planin e arratisjes së bashku me paratë të cilat ka pak shanse të jenë djegur siç aludoi ministri i Brendshëm.

14 ditë nga grabitja duket se sërish policia do të kënaqet me “ushtarët” në grabitje dhe me ndonjë tenxhere të groposur me para, por jo me “kokat” që me siguri kanë nisur të mendojnë për goditjen e radhës.