Rindërtojmë me këngë e valle

Pa fjalë i la Edi Rama evropianët gjatë turit të fundit që bëri nëpër Evropë. Me një dosje në dorë dhe fytyrë prej të përvuajturi, kryeministrit i Shqipërisë u la atyre në tavolinë shifrën prej 1.08 miliard euro, si faturë të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Të thëna më shkoqur, sipas “specialistëve” të Ramës, rreth 985 milionë euro është fatura e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa rindërtimi kërkon edhe rreth 90 milionë euro më shumë, që shkon në total rreth 1.08 miliard euro.

Me këtë faturë qeveria shqiptare do të shkojë në 17 shkurt në Bruksel ku do të zhvillohet konferenca e donatorëve e organizuar nga Komisioni Europian për Shqipërinë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit. Por vizita paraprake që bëri ai, nuk la ndonjë shenjë që të tregonte se Evropa do ta marrë seriozisht Ramën në kërkesën e tij. Për më tepër që veprimet e Ramës deri tani, emërimi i “tigrit” në krye të një procesi të tillë, mungesa e transparencës, mungesa e besimit tek organizatat e tjera që kanë mbledhur donacione dhe që u larguan nga Rama si prej kolerës, flasin shumë për fatin që do të ketë “Rindërtimi i Rilindjes”.

Dhe nuk shkoi shumë që shkëndija e parë e së keqes të shkëlqejë.

Transparenca me përllograitjen e dëmit, paratë e mbledhura deri tani dhe sidomos planin konkret të rindërtimit kanë qenë zero deri tani. Përveç ca konferencave të “tigrit” Arben Ahmetaj, ku më shumë flet përçart se qartë, asgjë tjetër nuk dihet se çfarë ka në kokë kryeminitri apo si do të shkojë programi i famshëm tek i cili Edi Rama ka vëndosur shpresën e fitores së një mandati tjetër qeverisës.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, dje doli lajmi se qeveria e ka futur dorën në thes tashmë. Në vendimin e Këshillit të Ministrave, i firmosur nga zv/Kryeministri Erion Braçe (si çdo vendim tjetër me spec), qeveria ka vendosur ti japë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), 194 milion lek të vjetra nga fondi për Rindërtim që të ndërtojë një portal unik, i cili do të shërbejë për procesin e rindërtimit.

Pak si shumë për një portal apo jo? Teorikisht kjo platformë do të shërbejë vetëm dhe vetëm për aplikimin e familjeve të cilat duan një banesë e megjithatë po i ha 190 milionët e parë. Për tu çuditur duke pasur parasysh faktin se qeveria thotë se e ka kryer këtë punë tashmë. Llogaritë janë bërë me pak fjalë. Sipas këtyre llogarive, specialistët e “tigrit” e dinë se ku është plaga e ku duhet vënë dora.

Prandaj Tigri ka vënë dorën në plagë.

Punën e menduar hollë duket si çdo pisllëk tjetër i pjellë nga kjo klasë. E nisim me portalin një herë, pastaj do vazhdojnë me ndonjë strukturë të posaçme verifikimi në terren, pastaj përmbledhje dhe nxjerrje statistikash e të tjera si këto.

Për të harxhuar para? Këta janë të paparë.

E madje me këtë rast bëjnë edhe spektaklin e radhës se thonë, ja ku kanë shkuar ato të shkreta para, ne për ju e kishim!

194 milion lek për një portal. Të na rrojë sa malet e rroftë e qoftë ahengu, spektakli, konferencat dhe shfaqjet nëpër takime. Sepse hallexhinjtë e vërtetë po e ngrysin nëpër çadra këtë dimër dhe pak kush ose asksush ka pyetur për ta.

Imagjinojini këta hallexhinj duke aplikuar te kjo plaftorma e shtrenjtë e AKSHI-t, për të kërkuar shtëpi/Pamfleti

Vendimi i plotë

Vendim për caktimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si njësi zbatuese për ngritjen e portalit unik qeveritar të procesit të rindërtimit dhe financimin e tij nga fondi i rindërtimit, miratuar në buxhetin e vitit 2020

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjes “iii”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të pikës 3, të nenit 16, dhe të pikës 1, të nenit 38, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Caktimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) si njësi zbatuese për ngritjen e portalit unik qeveritar të procesit të rindërtimit.

Efekti financiar total prej 19 440 360 (nëntëmbëdhjetë milionë e katërqind e dyzet mijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekësh të përballohet nga zëri “Fondi për rindërtim”, miratuar në buxhetin e vitit 2020 dhe të përdoret nga AKSHI, përkatësisht:

a) në masën 18 360 360 ( tetëmbëdhjetë milionë e treqind e gjashtëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë) lekë në zërin “Shpenzime kapitale me financim të brendshëm”; dhe

b) në masën 1 080 000 (një milion e tetëdhjetë mijë) lekë, në zërin “Shpenzime operative dhe mirëmbajtje”.

Fondet e mbetura të papërdorura, pas përfundimit të procedurave, në zbatim të këtij vendimi, kthehen në buxhetin e shtetit në zërin “Fondi për rindërtim”.

Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.