“Rrezikohet 50% e popullsisë e pa punë”, alarmi për Shqipërinë: Nëse kufizimet vazhdojnë mbi 2 muaj…

Kreu i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka thote se nëse masat shtrënguese te qeverise shkojnë përtej dy muajve, sipërmarrja nuk mund ta përballojë.

“E kemi mirëpritur paketën e masave të qeverisë. Nëse masat shtrënguese do të vazhdojnë nuk ka asnjë lloj qeverie të përballojë efektet që mund të shkaktojë COVID-19. Ne jemi në komunikim. Paketa financiare e cila u publikua nga kryeministri është një paketë e cila përmbush detyrimet mujore ndaj të punësuarve por struktura e biznesit në Shqipëri është e pastrukturuar. Biznesi i vogël është 70-80% e sipërmarrjeve në vend dhe janë të rrezikuara nga zgjatja. Ne aktualisht kemi një GDP, 14 mld dollarë dhe kemi një GDP jo zyrtare 34 mld dollarë. Në qoftë se sot qarkullimin zyrtar e kemi 38 mln dollarë në ditë, qarkullimin jo zyrtar e kemi 100 mln dollarë. Kemi dy herë pasoja. Të gjitha kompanitë e ligjshme janë të shtrënguara në këto kushte të falimentojnë, ndërsa kompanitë informale janë ato që do mbizotërojnë”, deklaroi Jaka.

Ai shtoi se nuk mendon që mund të ketë një ekspert që mund të nxjerrë një sektor të ekonomisë të painfektuar nga masat shtrënguese të COVID-19.

“Është ulur qarkullimi. Nëse masat shtrënguese do vazhdojnë më shumë se 2 muaj është e pamundur që sipërmarrja ta përballojë.
Nuk rrezikon recesion por rrezikon me skenarin më të mirë 50% të popullsisë pa punë. Duhet të përshtatemi në mënyrë të zgjuar me qasjen e re që koronavirusi po i krijon botës dhe në veçanti Shqipërisë”, tha ai.