“Rrëzohet” Meta, merret vendimi i rëndësishëm

Kuvendi ka rrëzuar me shumicë votash vendimin e Presidentit Meta për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.

Nëpërmjet një rezolute të hedhur me votim, u vu re një numër i madh votash kundër vendimit të Presidentit.

Rezoluta mori 100 vota pro, 7 kundër, dy abstenim dhe një nuk votoi.

Lefter Maliqi , Klajd Qama, Eugen Bojaxhiu, Artur Roshi, Enver Roshi, dhe Gjetan Gjetani kanë votuar kundër.

Në një seancë maratonë, deputetët diskutuan në lidhje me vendimin e Presidentit Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve.

Rama nga foltorja e Kuvendit akuzoi presidentin  së bashku me opozitën se po kërkojnë të vrasin zgjedhjet.

Kryeministri tha se akti i Metës është antikushtetues dhe se mazhoranca mbetet e patundur për të zhvilluar vendoret me 30 qershor.

Kundër shkarkimit të Presidentit Meta u shprehën deputetët Ralf Gjoni dhe socialisti Bashkim Fino. Ndërsa Pandeli Majko tha se politikisht, vendimi i Presidentit është i drejtë, po nuk qëndron i tillë nga ana juridike.

Betimi i Ramazan Gjuzit

Seanca parlamentare nisi me betimit e Ramazan Gjuzi, deputetit më të ri të Kuvendit të Shqipërisë.

Gjuzi u betua gjatë seancës parlamentare të së enjtes.

Ai vjen nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ndërkohë Kuvendi po vijon me mocionin me debat për dekretin e Metës, i cili shfuqizoi 30 qershorin si datë zgjedhjesh.