Rrokadë drejtuesish në institucionet publike në Shkodër, zbulohen lëvizjet e socialistëve

3 drejtori në Shkodër janë të parat që kanë vendet vakante. Drejtoria e parë në kërkim të titullarit të ri është ajo e shëndetit publik, pas emërimit në një pozicion më të rëndësishëm të Astrit Becit. Një nga emrat më të përfolur për ketë post është Arvit Osja, ish drejtor i FSDKSH dhe ish kryetar i PS.

Posti i dytë që lirohet është ai i shtëpisë së të moshuarve, pasi Edmond Emini me komandimin në krye të partisë socialiste, me statut nuk mund të mbajë më një drejtori. Kujtojmë që ky vendim i Rames u zbatua edhe me Arvit Osjen që e detyroi të jepte dorëheqjen nga FSDKSH. Për këtë karrige kandidatët që përfliten janë disa por vendimi do të merret brenda pak ditësh.

Surprize është drejtoria e tretë e cila prej ditësh ka mbetur me post vakant. Bëhet fjalë për spitalin rajonal të Shkodrës, ku titullarja Teuta Rrjolli është larguar jashtë Shqipërie. Burime për shkodranews thonë se ajo do të largohet nga ky post me urdhër të ministres Manastirliu dhe madje kanë nisur që tani të përfliten kandidatët e parë. Disa prej mjekëve të njohur të Shkodrës janë thirrur dhe u është propozuar ky post nga Manastirliu por ata kanë refuzuar pasi kanë patur kushte që ministrja nuk ja ka plotësuar.

Tashmë me gjasa pritet që drejtori i ri i spitalit rajonal të Shkodrës të vijë jo nga radhët e bluzave të bardha, por nga sektori menaxherial brenda selisë rozë. Këto janë 3 drejtoritë e parë pa shtuar këtu edhe të gjitha postet që mbahen prej më shumë 3 vitesh nga drejtorët rajonal, të cilët me një urdhër të brendshëm do të ndërrohen brenda fillimit te Marsit. Ata janë OSHEE, DPT, DAR, ALUIZNI, DOGANAT etj.