Sa shumë premtime për Vllazninë, çfarë po ndodh sot me klubin shkodran ?

“Ademi: Vllazninë e shesim deri në fund të vitit”. Ky ishte një prej artikujve të publikuar në një gazetë sportive të vendit tonë me 21 shtator të vitit 2017. Pra, si logjikë dhe duke u bazuar tek fjala e kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, tani Vllaznia duhej të ishte e privatizuar. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur e kushedi kur do të ndodhë.

Një deklaratë e tillë nuk të bën aspak përshtypje, pasi të tilla premtime, Ademi bëri shumë gjatë sezonit të kaluar futbollistik. Premtime, që nuk mbajti asnjërin. I vetmi premtim që mbajti ishte ai për rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë. Atë premtim në fushatën elektorale, e mbajti me sukses, edhe pse e tha pa dashje.

Muajt kaluan dhe Vllaznia mirë që nuk u privatizua, por ra edhe një kategori më poshtë. Një turp për skuadrën më të vjetër në Shqipëri, që për më tepër vitin e ardhshëm feston 100-vjetorin e themelimit. Një përvjetor të rëndësishmë që nuk e feston në Superiore, aty ku i takon.

Por, nuk mjafton vetëm kaq. Vllaznia po shkatërrohet dita-ditës. Kanë kaluar rreth 2 muaj nga përfundimi i kampionatit dhe skuadra është e shpërbërë. Skuadra pa administrator, pa trajner dhe me disa lojtarë të larguar. Nuk dihet çfarë do të ndodhë me Vllazninë e sezonit të ri.

Mungon edhe reagimi i tifozerisë shkodrane. Siç duket janë habitur pas ndeshjeve të botërorit, por të paktën a do të zgjohen sapo të përfundojë finalja? A do të reagojnë për atë që po i ndodh Vllaznisë apo do të qëndrojnë në heshtje përsëri? Kjo mbetet për tu parë në ditët në vijim, por situata nuk është aspak e mirë në kampin shkodran. /ShkodraNews