Senida Mesi drejt konfirmimit për bashkinë Shkodër, por me “kobure” në brez përballë socialistëve!

Kur po shkon drejt konfirmimit emri i saj për kandidate për kryetare bashkie në Shkoder, pasi disa nga emrat e propozuar më herët e kanë refuzuar këtë sfidë, Senida Mesi vijon të rrisë valën e pakënaqësisë në selinë rozë qoftë me koleget deputet por dhe tek anëtarësia.

Një gjë e tillë u pa në festën e organizuar këtë 9 Mars me gratë socialiste, që u parapri nga një marshim, ku Senida Mesi ishte deputetja e vetme që nuk u ul në tryezën ku ndodhej ish ministri i jashtëm dhe koordinatori për qarkun Ditmir Bushati, si dhe deputeti tjetër Luan Harusha.

Ajo ka qëndruar në një tjetër tavolinë me gratë shkodrane, ndërsa ka shmangur kontaktin me Bushatin, ku prej kohësh tashmë të gjithë e dijnë ftohjen e fortë mes tyre, që në raste të caktuara për tu dukur, zbehet me një përshendetje formale.

E në fakt natyrshëm që përballë një realiteti të tillë, shumë pikëpyetje ngrihen pas kësaj? Si do të mundet neser Senida Mesi të zhvillojë fushate normale kur ka një lum pakënaqësish ndaj saj që nga koha kur ishte zv/kryeministre, e kur i ka shpallur “luftë” kolegeve të tjerë deputet, si dhe një pjese të madhe të anëtarësisë? A do të munden ata që të punojnë për Mesin, kur në mes ka një hendek të tillë? Cila do të jetë strategjia e saj për të fituar Shkodrën, kur nuk ka as mbështetjen e partisë së saj dhe të strukturave drejtuese?

Natyrisht që “pushteti” që ju besua Mesit u shpërdorua në formën më të shëmtuar, aq sa pa frikë mund të thuhet se fitoi arroganca dhe jo qytetaria, ç’ka do ta kishte bërë atë të pranohej dhe mbështetej jo vetëm nga partia e saj, por edhe përtej! Sot Senida Mesi nuk mund të vijë si një figurë solide dhe aq më pak kur me një sjellje të tillë, Shkodres nuk mund t’i prezantohesh, pasi faktet e kanë dëshmuar që në këtë qytet, arroganca është goditur më fort dhe ka “rrëzuar” nga froni këdo që ka tentuar ta përdorë.

E kjo që po ndodh sot i shqetëson jo pak socialistët që herë ngjajnë sikur përsërisin veten, e herë zhyten edhe më shumë në kaos, duke mos ja arritur të gjejnë një figurë të fortë dhe përbashkuese qe do t’u jepte më shumë terren në Shkoder. Duket se edhe këtë herë loja do të shkojë për t’u dukur dhe Edi Ramës me të tijët do t’i duhet ta pranojë se ka dështuar të ndërtojë një model të duhur për Shkodren. Edhe refuzimi që po i bëjnë një pjese e kandidateve të propozuar është dëshmi e kësaj, se fraksionet bëjnë më shumë punë se asgjë dhe në gjithë këtë periudhë e kanë dëmtuar PS-në e veriut./ShkodraNews