Senida Mesi kandidate për bashkinë Shkodër? Ja pse është një eksperiment i Ramës

Partia socialiste dhe kryeministri Edi Rama lëshojnë “ujin e përvëluar” mbi kryetarët e bashkive në detyrë të veriut të Shqipërisë që fituan 4 vite më parë nën këtë sigël. Tonin Marinaj, Gjon Gjoni dhe Fran Tuci rrezikojnë rikonfirmimin nga socialistet, edhe pse ata e duan një mandat të dytë dhe madje nuk kanë hezituar ta shprehin një fakt të tillë.

Kur kanë ngelur më pak se 6 muaj nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit, Partia Socialiste po mbledh kryesinë çdo të hënë për punën përgatitore. Mes grupit të punës po analizohet puna e cdo kryebashkiaku në detyrë si dhe po bëhet një skaner i kandidatëve të mundshëm për postin e kryetarëve të bashkive për 61 bashkitë e vendit. mes kësaj analize të nisur, ka rënë në sy fakti se asnjë prej 3 emrave të kryebashkiakëve të bashkive të qarkut Shkoder nuk është përmendur për rikandidim.

Burimet bëjnë me dije për Shkodranews se për Fushë Arrëzin Fran Tuci me shumë mundësi nuk do të jetë më, për Pukën po shqyrtohet emri i ish kandidatit për deputet Paulin Luli, që mund të zërë vendin e Gjon Gjonit, ndërsa në Malësi të Madhe është vënë pikëpyetja mbi emrin e Marinaj.

Kryebashkiaku në detyrë ka deklaruar në disa takime publike se e dëshiron një mandat të dytë dhe është i gatshëm për këtë sfidë, por Rama dhe kryesia e PS sic duket ka të tjera llogari politike dhe matematike në mendjen e saj. Sic duket, duke parë terrenin politik dhe mbi të gjitha listën që mund të rezervojnë rivalet, në këtë rast opozita e bashkuar, ata po tregohen të kujdesshëm të mos i japin me lehtësi votëbesimet për veriun, i njohur historikisht si një qark delikat për të majtën.

E kur flitet për Malësine e Madhe, beteja atje shpesh ka qënë e fortë dhe e tensionuar, prandaj PS po bën llogaritë me kujdes.

Surpriza e madhe mbetet Shkodra dhe eksponentë të majtë në lojë këto ditë kanë hedhur emrin e ish zv/kryeministres Senida Mesi, dikur një këshilltare e bashkisë nën siglën e PS, e që sot pas marrjes së mandatit të deputetes dhe postit të lartë që mbajti në qeveri, në opinionin publik ka humbur shumë pikë.

E lënë në hije dhe duke mos arritur të bëjë asgjë konkrete për Shkodrën, Mesi është edhe vetë e vetëdijshme se kjo nuk është një lojë, por një betejë e fortë në një qytet ku asnjëherë PS nuk ka fituar. Përballë revanshit ndaj qeverisë, përçarjes së brëndshme në PS dhe maredhenieve të ngurta që ajo vetë krijoi me anëtarësinë, e ka të vështirë së pari të fitojë besimin e të vetëve, e pastaj të shkodranëve.

Megjithatë Rama i njohur për kalkulimet dhe lojrat politike, po e teston si emer për të marrë opinionet e para, e më pas nuk përjashtohet mundësia të ketë rezervuar sic e thonë edhe burimet, asin nën mëngë dhe Shkodres ti japë një kandidat surprizë. Kjo mbetet për tu parë në javët dhe muajt në vijim, ndërsa në lojë mbetet emri i Senida Mesit, si një qarkullim mediatik dhe politik për të bërë zhurmen e çastit./ShkodraNews