Serish pr.ag tragjedie në Shkodër, inekzistenca e Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial po merr në qafë qytetarët



Dështimi i një institucioni dhe paratë që hidhen kot. Është kjo historia në plot kuptimin e fjalës për Inspektoratin Shtetëror Teknik dhe Industrial, që në Shkodër qartazi dallohet që është inekzistent. Brenda pak ditësh një tjetër rast i rëndë i shpërthimit të bombolës së gazit u shënua në këtë qytet, pak metra larg qendrës, në zonën e Urës Dervishbeg. Orët e drekes së të hënës së 7 shtatorit, mund të kishin qënë fatale për një çift të moshuarish 70 dhe 75 vjec. Kryefamiljari po kontrollonte bombulën e mbushur në një pikë të paautorizuar nëse ka apo jo rrjedhe, kur ajo mori flakë dhe i shkrumboi shtëpinë, pasurinë e një jete. Një fenomen i tillë ndodh cdo ditë në Shkoder, ku bombulat mbushen në pika karburantesh dhe poshtë pallateve, në pika të paautorizuara, por askush nuk bën zë, e kontrolle jo e jo. ISHTI vetëm merr rrogën në fund të muajit dhe shkruan statistika në letër, por për të marrë masa e quan luks. Inspektorët e saj nuk shihen në terren dhe asnjë grup tjetër pune që të marrë masa për të frenuar këtë që po ndodh. Pak javë më parë ishte vetë kreu i shërbimit zjarrfikës që ngriti shqetësimin për faktin se bombulat e gazit 5 litershe që mbushen në këto pika janë rrezik serioz dhe nuk duhen përdorur në shtëpi për gatim apo ngrohje, por zëri i tij ra në vesh të shurdhët. Lënia e territorit në dorë të lirë, pa kontrolle dhe pa asnjë masë tjetër po vë cdo ditë e më shumë në rrezik jetën e qytetareve të cilët përballë një situate të tillë të kursimit të parave nga energjia elektrike, po rrezikojnë vetë jetën e tyre dhe të pasurisë së tyre. Cilat janë arsyet që ISHTI nuk kryen kontrolle e dijnë vetëm drejtuesit e këtij inspektoriati që me gjasa marrin urdhëra diku tjetër, apo mbrojnë të “fortit” e këtij biznesi. Cuditërisht asnjë institucion tjetër nuk ka folur për të kërkuar marrje masash dhe në një kohë kur në Shkoder mungon edhe prefekti si përfaqësues i shtabit të emergjencave, të tjerët se kanë vënë ujin në zjarr për të reaguar. Shpresohet vetëm që rastet fatale të mos përsëriten pasi të tilla “mina me sahat” në shtëpitë e qytetareve janë një kërcënim i vazhdueshëm.