Sfida e rëndësishme për kreun, Vllaznia nuk ia del

Vllaznia B nuk ka arritur që të fitojë në një sfidë të rëndësishme për kreun në grupin A të Kategorinë së Dytë. Shkodranët u mposhtën pasditën e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” me rezultatin 0 – 3 nga Luzi 2008.

Miqtë do shënonin që në minutën e 20-të të pjesës së parë, teksa Tavani zhbllokon shifrat. Mundohen të reagojnë lojtarët e Vllaznisë B, por janë të pasaktë përballë portës kundërshtare. Atë që nuk e bëjnë kuqeblutë e bëjnë përsëri miqtë, që shënojnë të dytin edhe në minutën e 40-të me Mziun.

Në pjesën e dytë, ekipi i Krajës hidhet në kërkim të golit të parë por lojtarët humbasin shumë raste. Kur takimi po i drejtohej fundit, Baholli shënon edhe të tretin për Luzin, në minutën e 82-të, këtë herë me një 11-metërsh. Pas kësaj humbje, Vllaznia B mban vendin e 6-të me 27 pikë, 7 më pak se Tërbuni kryesues. /ShkodraNews