SHBA-BE blindojnë Reformën në Drejtësi dhe rrëzojnë planet mafioze të politikës. Ja vendimi që kanë marrë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po kujdesen që politika të mos i fusë duart tek reforma në drejtësi. Në fund të vitit 2018 u ngritën organet e reja të drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Të tre këto organe u ngritën për t’i dhënë një frymë të re sistemit të drejtësisë dhe për të rikthyer besimin e publikut në të. KLGJ dhe KLP janë strukturat që kanë në dorë emërimet, shkarkimet dhe ndëshkimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa KED ka si detyrë të emërojë anëtarët në Gjykatën Kushtetuese.

Por me qëllim që këto tre organe ta kryejnë me sukses punën e tyre, misionet e Euralius dhe Opdat po japin kontributin e tyre. Dy ditë më parë KED vendosi të forcojë bashkëpunimin me ndërkombëtarët, ndërsa burimet i thanë ‘Sot’ se lidhje të ngushta me SHBA-BE kanë vendosur edhe KLGJ së bashku me KLP. Edhe pse nuk është njoftuar zyrtarisht, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor vazhdimisht konsultohen me ekspertët e Euralius dhe Opdat për vendimet e tyre.

Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian ndjekin çdo mbledhje të organizuar të KLGJ, KLP dhe KED, duke mbajtur kështu nën monitorim çdo lëvizje të këtyre organeve. Në disa raste kur shohin diçka të dyshimtë, ekspertët shfaqin ankesa dhe ndërhyjnë që gjërat të ecin në rrugën e duhur. Pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit qëndrojnë ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të cilët janë prezentë në çdo seancë dëgjimore me subjektet e rivlerësimit, vëzhgojnë me kujdes çdo vendimmarrje të KPK dhe në rast se ka ndonjë lëvizje të dyshimtë, nuk lejojnë asnjë shkelje.

Ndërsa pranë KLGJ-KLP-KED janë vendosur ekspertët e misioneve Euralius dhe Opdat. Në rastet që KLGJ dhe KLP do të duhet të marrin vendime pikante, burimet i thanë gazetës se më parë krerët respektivë konsultohen me përfaqësuesit e Euralius dhe Opdat. Pra, mund të themi që puna e organeve të reja të drejtësisë po monitorohet në çdo hap nga ndërkombëtarët. Bashkëpunimi midis SHBA-BE dhe KLGJ-KLP-KED vjen me qëllim që të mos bëhet asnjë hap pas me reformën në drejtësi dhe të mos ketë asnjë ndikim nga forcat politike në sistemin e ri të drejtësisë që ka nisur të krijohet pak nga pak.

Ndikimet politike në drejtësi

Një nga arsyet që çoi në nevojën për të reformuar sistemin e drejtësisë ishin edhe ndikimet politike. Pak kohë më parë gazeta “SOT” publikoi një listë me të gjithë emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që ishin të emëruar nga Sali Berisha, Ilir Meta, Bamir Topi apo edhe Bujar Nishani. Por pjesa më e madhe e këtyre emrave u shkarkuan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit si të korruptuar. Mirëpo me ngritjen e organeve të reja kjo epokë do të marrë fund sepse emërimet apo shkarkimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kryhen nga këto struktura, nën monitorimin e ndërkombëtarëve.

Në këtë mënyrë, SHBA-BE po blindojnë organet e reja të drejtësisë, duke mbajtur duart e politikës larg reformës në drejtësi. Misionet Euralius dhe Opdat po japin kontributin e tyre me qëllim që reforma në drejtësi të ecë në shinat e duhura, duke qenë se kjo reformë iu besua atyre që në fillim kur diskutohej për miratimin e saj. Kujtojmë që SHBA-BE, përmes ambasadorëve të tyre në Tiranë, Donald Lu dhe Romana Vlahutin ndihmuan shumë në gjetjen e konsensusit mes palëve politike që të hartonin dhe miratonin reformën në drejtësi, ndërsa tani vëmendja e tyre është përqendruar në zbatimin me korrektësi të saj.