Shembën portën e jashtme të fakultetit, studentët e FSHN-së u bashkohen atyre të Juridikut

Studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës kanë hyrë me forcë në ambjentet e Fakultetit të Juridikut pasi dyert e kësaj godine ishin mbyllur nga rojet e sigurisë.

Studentët e FSHN-së kanë mbërritur pak çaste më parë në Fakultetin e Juridikut dhe siç thonë ata vijnë në mbështetje të kolegëve të tyre të cilët kanë kaluar natën të ngujuar brenda fakultetit.

Studentët fillimisht nuk janë lejuar të hyjnë brenda por ata e kanë shembur portën e jashtme të godinës dhe u janë bashkuar kolegëve të tyre.

Ata kanë zhvilluar një takim me njëri-tjetrin për vijimin e qëndrimit në lidhje me vendimet që do të ndërmarrin për ditët në vijim.

Më herët, pranë Fakultetit Ekonomik është parë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi i cili u refuzua nga studentët.

Por ai ishte i vendosur se do të largohej prej aty bashkë me policinë e cila sipas tij, po dhunon studentët dhe nuk po i lejon të protestojnë për të drejtat e tyre.

Ndërkohë, njëherësh me deputetin e PD-së për shkak të këmbënguljes së studentëve janë larguar edhe efektivët e policisë.