Shkaktoi pakënaqësi ne Shkodër, por Rama ka përdorur një hile tek lista e kandidateve për KB

Me pakënaqësi të shumta është pritur lista e kandidatëve për këshillin bashkiak të Shkodres e bërë publike nga partia socialiste.

51 emrat e përzgjedhur kanë kaluar përmes një proçesi tejet të debatueshëm dhe ku shumë drejtorë dhe zyrtarë të lartë të kësaj force politike kanë patur pretendimet e tyre.

Për një pjesë dera është mbyllur që në fillim, kjo për shkak të statusit që ata kanë, që nuk e lejon garimin për këtë karrige.

Megjithatë përbërja e saj mbetet interesante, pasi ndonëse jo shumë përfaqësuese për socialistët e vjetër dhe mënyrën se si është kryer renditja, ajo sjell një panoramë ndryshe nga zgjedhjet e shkuara ku drejtorët apo deputetet si dhe ish kryetarët e komunave asokohe, shpejtuan të vendosin në lista të afërmit e tyre.

Të vetmit emrat që kanë arritur të rifitojnë mundësinë e kandidimit janë mjeku Gëzim Galiqi, Brisela Kadija dhe Luan Heta, të tre të vendosur në listë të sigurtë, në 10-shen e parë. Ajo që bie në sy në këtë listë është futja edhe e emrave që ishin pjesë e listës së PS në zgjedhjet e 2017-es për deputet si rasti i Blediane Nika, apo Arvit Osja, ish kryetari i PS i cili u përfol si një nga kandidatët e mundshëm për bashkinë Shkoder në këto zgjedhje.

Socialistët megjithatë nuk i kanë shpëtuar emrave të cilët vijnë nga familje të njohura, apo njerëz që kanë influencë në qarqe të caktuara, si drejtues shkollash, pjesë familjeve sportive, të komuniteteve fetare etj. Ky miks i ndërtuar në këtë formë është as më shumë dhe as më pak, por një strategji që socialistët tentojnë ta përdorin në këto zgjedhje ku garojnë të vetëm për të marrë sa më shumë vota, por edhe për të nxitur daljen e votuesve në 30 qershor për të shprehur vullnetin e tyre.

Loja deri më tani nuk ka shumë surpriza, megjithëse zgjedhjet mbeten në pikëpyetje dhe nese palet ulen në tryeze negociatash dhe zgjedhjet shtyhen, atehere me shumë gjasa PS e Shkodres si në shumë zona të tjera të vendit, do të ndryshojë lojtarët, pasi përballë një partia demokratike të pathyeshme në 30 vite, do ta ketë jo të lehtë betejen.

Deri më tani të majtit janë komod, pasi në garë janë të vetëm dhe në Shkoder nuk kanë rival përballë, por vetëm aleatë që do të hyjnë me to në zgjedhje./Shkodranews